Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pasi ka dëgjuar mendimet e të gjithë përfaqësueseve të partive politike ka thënë se do t’ia japë të drejtën e mandatarit cilitdo që mund ta formojë Qeverinë e re.
Thaçi ka thënë se këtë do ta bëjë duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Sipas Thaçit, formimi i Qeverisë mbetet në dorën e partive politike dhe fuqisë mbizotëruese në Kuvend të secilës parti, shkruan Reporteri.
“Si rrjedhojë e diskutimeve, duke marrë parasysh edhe që të gjitha partitë përfaqësuara në Kuvend, me përjashtim të njërës janë për formimin e Qeverisë së re, duke respektuar kushtetutën, ligjet, do ti jap mandatarin cilësdo parti që dëshmon se ka shumicën për të krijuar Qeverinë e re. Nuk është në diskrecionin tim që të propozoj mandatarin. Kjo rrejdh nga fuqia mbizotëruese brenda Kuvendit, pra nga koalicioni që ka gjasat më të mëdha për formimin e Qeverisë”, është shprehur ndër të tjera Thaçi.
Në takimin që ai ka pasur me krerët e partive politike, të gjitha partitë, pos Lëvizjes Vetëvendosje janë shprehur pro formimit të qeverisë së re pa shkuarje në zgjedhje. Teksa kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, është shprehur i gatshëm që partia e tij të sigurojë shumicën për formimin e qeverisë së re, ai i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se partia e tij do të jetë opozitë. Krerët e AAK-së, Nismës, AKR-së e përfaqësues të partive nga minoritetet janë shprehur pro formimit të qeverisë së re, pa zgjedhje. Të gjithë kanë përmendur pandeminë e koronavirusit si ndër arsyet për shmangie të zgjedhjeve të reja. /Reporteri.net