×
  • Lajme
  • Lajme

    Dita e Tokës – Fotografi të Prishtinës e Batllavës, si kujtesë se sa pak kujdesemi për shtëpinë tonë

    Reporteri
    22 Prill 2020 | 19:58
    © Reporteri.net / Foto: Kushtrim Tërnava

    Sot është Dita e Tokës. E kemi lënë të qetë këto ditë, shumë vjet pasi e kemi dashuruar e shpesh poshtëruar me sjelljen tonë. Sa herë që mendojmë për planetin, e kemi në mendje vetëm bukuritë që na i ofron. Por, le të kujtojmë me pak fotografi se çfarë bëjmë keq ne për të.


    Fotografi Kushtrim Tërnava, udhëtoi nëpër disa vende të Prishtinës për t’i sjellë, përmes Gazetës Online ‘Reporteri.net’, të palëvizshme disa copëza vendesh që, me neve apo pa neve, megjithatë vazhdojnë të jenë aty për ditë më të mira.

    © Reporteri.net / Foto: Kushtrim Tërnava

    Në këto ditë pranvere me shi, liqeni i Batllaves nuk do të vizitohej edhe sikur të mos kishim masa për ndalimin e lëvizjes së qytetarëve. Megjithatë, ky liqen është prej më të frekuentuarve nga qytetarët në kohë të ngrohta.

    © Reporteri.net / Foto: Kushtrim Tërnava

    Toka që gjendet pak më tutje liqenit të Batllaves duket se shpesh i harron stinët e shirave dhe borës. Me gjithë thatësinë e saj (dhe shishet e hedhura me pakujdesi!), copëzat e saj të krisura i ngjajnë një mozaiku fushash që shihet nga fluturimet lart.

    © Reporteri.net / Foto: Kushtrim Tërnava

    Në një pamje të gjerë, Batllava qëndron e ngrysur nën qiellin e mërrolur. Liqeni i këtij vendi, në kohë të ngrohta, është pikëtakim i fundjavave të zëshme të qytetarëve.

    © Reporteri.net / Foto: Kushtrim Tërnava

    Një prej gjërave më karakteristike kur këqyr nga Obiliqi është qielli i ndotur nga puna e hidrocentraleve. Ndonëse sa herë ajri ndotet në Prishtinë, e kthejmë gishtin andej, masat parandaluese të marra nga Qeveria tani e kanë përmirësuar dukshëm cilësinë e ajrit në kryeqytet. Për pak kohë, këto hidrocentrale mund të rrinë jashtë shënjestrës së fajit.

    © Reporteri.net / Foto: Kushtrim Tërnava

    Një pjesëz e lagjes ‘Dardania’, e cila i ka gjithnjë të rënduara trotuaret me këmbë qytetarësh në çdo stinë.

    © Reporteri.net / Foto: Kushtrim Tërnava

    Mbrapa ndërtesës së Pallatit të Rinisë, ku fshehurazi ka zënë vend që shumë kohë edhe teatri ‘ODA’ duket krejt. Këto shkallë vërshohen nga dhjetëra njerëz ditëve të zakonshme në Prishtinë, ndërkaq gjatë stinës së verës, kjo ndërtesë mban në supe disa nga kujtimet më të bukura të të rinjve prishtinas, si ato gjatë festivalit të verës. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!