Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është informuar me kohë nga Banka Ekonomike lidhur me sulmin kibernetik duke ndikuar në funksionalitetin e disa shërbimeve bankare, të cilat më pastaj bazuar në konfirmimin e bankës, këto shërbime bankare janë kthyer në gjendje normale.
Me këtë rast, sipas BQK-së, Banka Ekonomike ka informuar edhe organet shtetërore, të cilat merren me siguri kibernetike dhe me çështje të të dhënave personale.
“Konform fushëveprimit dhe mandatit të BQK-së, ju informojmë që mjetet në llogaritë e klientëve janë të sigurta, por që sulmi kibernetik ka të bëjë me rrjedhje të informatave që lidhen me fushën e privatësisë.
Banka në fjalë, tashmë ka ndërmarrë hapat konkret në kontekst të hulumtimit dhe eliminimit të këtij sulmi kibernetik”, thuhet në një kumtesë.
Po ashtu, BQK thotë se po përcjellë në vazhdimësi stabilitetin e sektorit bankar dhe të bankave individuale, e që bazuar në treguesit kryesor financiar sektori bankar është stabil.
Me një kumtesë për këtë sulm ka dalë edhe vetë Banka Ekonomike.
“Me qëllim të informimit të drejtë dhe evitimit të shqetësimeve eventuale të klientëve tanë, njoftojmë të gjithë klientët se Banka Ekonomike ka qenë cak i një sulmi kibernetik, ku për pasojë një numër i caktuar i sistemeve janë infektuar me virus dhe të njejtin e kemi izoluar me kohë duke siguruar që janë zbatuar masat më të larta të sigurisë në këtë aspekt.
Banka Ekonomike menjëherë pasi që ka ndodhur rasti, ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm ligjor duke njoftuar të gjitha organet kompetente dhe të njëjtat janë duke e hetuar rastin.
Banka Ekonomike i siguron të gjithë klientët e saj, se të gjitha llogaritë dhe mjetet e klientëve tanë janë të sigurta dhe nuk janë prekur nga ky sulm, pasiqe ky sulm ka të bëjë me rrjedhjen e informatave që lidhen me fushën e privatësisë.
Banka Ekonomike edhe një herë ju kërkon falje të gjithë klientëve për shqetësimet eventuale që mund të kenë pasur, por deshirojmë të theksojmë edhe njëherë se nuk ka hapësirë për shqetësim lidhur me mjetet e tyre në Bankën Ekonomike, pasi që të njëjtat janë të sigurta.
Për fund, njoftojmë të gjithë personat që publikimi i informatave personale në mënyrë të pa autorizuar përbën vepër penale, prandaj edhe kërkojmë që menjëherë të ndalet shpërndarja e këtyre informatave”, thotë kumtesa e bankës.