Shkumbin Luzha është kthyer në adresë për farefisin dhe bashkëfshatarët. Gjithsecili prej tyre ka një listë me kërkesa për llojet e farave të perimeve e fidanëve për t’i mbjellë në bahçe e oborre.
“Duke parë situatën që gjendemi, vërehet një fluks i madh i njerëzve që janë të interesuar për punimin e tokës. Kryesisht në kultivimin e perimeve, sidomos në lagjen tonë, kam kërkesa non stop që t’ua blej farat për mbjellje, pasi që unë nuk kam lirinë të kufizuar këto ditë dhe jam në punë, dhe mund të kryej pazaret ditore të familjes së gjerë”, tregon Luzha, menaxher i një plantacioni mjedrash në Begracë të Kaçanikut, shkruan KOHA.
Atij i bëhet qejfi që shumë familje, e sidomos çiftet e reja, po i kthehen punës në bahçe për të mbjellë sa për nevoja shtëpiake.
Kopshti i ligjëruesit të shkencave politike
Seb Bytyçi, ligjërues i shkencave politike në Universitetin e Winchesterit në Britani të Madhe, kujton ditët fëmijërore kur familja kultivonte kultura bujqësore që shtroheshin në tryezën e bukës. Përvojë të ngjashme ka pasur edhe bashkëshortja e tij.
“Edhe unë dhe bashkëshortja ime, Adelina, jemi rritur në qytet me kopsht në oborr, të cilin e kanë mirëmbajtur prindërit, dhe kemi ‘ndihmu’ si fëmijë”, thekson ai. Thotë se çifti ka nostalgji për atë kohë. Dhe gjatë këtyre ditëve, kur masat e mbylljes po zbatohen gjithandej botës si masë parandalimi ndaj përhapjes së virusit me kurorë, kanë rrokur veglat e punës që t’i krijojnë një përvojë të ngjashme edhe djalit të tyre. “Mendojmë që është diçka e mirë edhe për ne, edhe për fëmijë, por dhe sadopak perime që rriten aty janë organike, që është mirë edhe për shëndet”, thekson Bytyçi.
Numri i atyre që po kërkojnë fara të perimeve e fidanëve të llojeve të ndryshme është në ngritje edhe në plantacionin e fermerit Skender Gashi nga Konjuhi i Lipjanit. “Për çdo vit kemi më shumë fermerë të interesuar për ta punuar tokën”, thekson Gashi gjatë një bisede telefonike. “Natyrisht se është mirë kur ngrihet numri i atyre që punojnë edhe bahçet”.
Nevoja për siguri kombëtare ushqimore
Bytyçi, i cili ka shpërndarë në Facebook një fotografi me të birin derisa lëvrojnë tokën, thotë se gjatë masave të mbylljes ka vërejtur në rrjete sociale se ka shumë qytetarë që po u kthehen kopshteve e arave. Ai e sheh me sy të mirë këtë interesim të brezit të ri. “Shpresoj se kjo do të bëhet trend edhe pas pandemisë. Unë në fakt i kam propozu Qeverisë që ta nxisë këtë trend duke dhuruar falas fara të perimeve, sepse kjo ka të bëjë edhe me sigurinë kombëtare ushqimore”, thekson ligjëruesi i universitetit britanik.