Një deklaratë e analistit Baton Haxhiu, për amnisti të krimeve të luftës, me marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, ka nxitur disa reagime në vend.
Më 27 prill, kur përkujtohen të zhdukurit e luftës së fundit në Kosovës, pjesa më e madhe e politikanëve kosovarë kanë dhënë mesazhe kundër idesë për amnisti të krimeve të regjimit serb ndaj kosovarëve.
E reagim për këtë, në Twitter, ka bërë edhe këshilltarja e kryeministrit në shkuarje Albin Kurti, Fëllanza Podrimja.
Por, Podrimja në Twittin e saj në gjuhen angleze, ka zgjedhur që reagimin ta bëjë duke mashtruar ndjekësit e saj të huaj, shkruan Reporteri.net.
Pasi ajo analistit kosovar, dhe deri para një muaji drejtorit të një televizioni lokal, i referohet si Këshilltar i Presidentit Thaçi. Gjë që nuk qëndron. Të paktën zyrtarisht, as nuk ka qëndruar ndonjë herë.
Gazetari i njohur Baton Haxhiu, përkundër se ka patur afërsi me presidentin Thaçi, asnjëherë nuk është prezantuar, e as nuk është raportuar së këshillon presidentin kosovar.
Madje, një gjë e tillë dëgjohet për herë të parë nga këshilltarja e Kurtit.
“Edhe një herë këshilltari presidentit dëshmohet i dobët kur bëhet fjalë për çështjet juridike. Amnistia për krime lufte ose krime kundër njerëzimit nuk mund të ndodhë. E drejta ndërkombëtare e ndalon këtë. Një traktat i tillë midis Kosovës dhe Serbisë do të ishte i pavlefshëm”, ka shkruar ajo në Twitter.
Twitter, nga shumica e njerëzve të politikes, përdoret si një formë e komunikimit me diplomatët perëndimor. Ndaj, mbase edhe për këtë, Podrimja Twittin e ka bërë në gjuhen angleze, por duke shpërndarë informacion të rreme (fake news), në lidhje me pozicionin e Baton Haxhiut.
Madje, mashtrimin e saj ajo e nxjerr në pah edhe me videon që e ka shoqëruar postimin e saj, e ku në siglat e televizionit ku është deklaruar Haxhiu është e shënuar se ky i fundit është gazetar.
Once again a president’s adviser proves weak when it comes to legal questions. Amnesty for war crimes or crimes against humanity cannot happen. International law prohibits this. Such a treaty between Kosova and Serbia would be void. https://t.co/q4PIsNLlrN
— Fëllanza Podrimja (@FPodrimja) April 26, 2020
Analisti Haxhiu deklaratën e ka dhënë në një emision televiziv, ku ai ka shprehur pikëpamjet e tij politike dhe atyre rreth dialogut dhe proceseve tjera që e presin vendin.
Deklarata e Haxhiu, që po kundërshtohet si ide, është dhënë në ditën kur një këshilltar i Kryeministrit Albin Kurti skandalizoi të gjithë opinion duke e quajtur UCK-në kriminale. Fjala është për Shkëlzen Gashin, bashkëthemeluesin e Lëvizjes Vetëvendosje, që një ditë pas intervistës u shkarkua nga Albin Kurti, ndonëse ky i fundit tha se e çmon mëndin e tij kritik. /Reporteri.net/.