Pentagoni ka lëshuar tri video të shkurtra që siç thuhet tregojnë “fenomene ajrore të paidentifikuara”, të cilat ishin publikuar më parë nga një kompani private.
Videot tregojnë disa objekte fluturuese të paidentifikuara që lëvizin me shpejtësi ndërsa regjistrohen nga kamerat infra të kuqe, shkruan CNN, transmeton Reporteri.
Në dy nga videot dëgjohen anëtarët e shërbimit që reagojnë me frikë duke potencuar se sa shpejt lëvizin objektet. Një zë spekulon se mund të jetë një drone.
Marina pranoi vërtetësinë e videove në shtator të vitit të kaluar. Ata po i publikojnë zyrtarisht tani, siç thonë “në mënyrë që të sqarojnë çdo ide të gabuar nga publiku nëse pamjet që kanë qarkulluar ishin të vërteta, apo nëse ka diçka më shumë në këto video”, ka thënë zëdhënësi i Pentagonit, Sue Gough.
“Pas një analize të thellë, departamenti ka vendosur që autorizimi i publikimit të këtyre videove të paklasifikuara nuk përbën ndonjë rrezik të kapaciteteve të sistemit tonë dhe nuk shkel ndonjë hetim të hapur të forcave ajrore mbi inkursionin e objekteve të paidentifikuara”, thuhet në deklaratën zyrtare të departamentit të mbrojtjes së SHBA-së.
Marina tani ka marrë udhëzime zyrtare për mënyrën sesi pilotët e saj mund të raportojnë kur besojnë se kanë parë UFO të mundshëm.
Videot kanë qarkulluar publikisht në mënyrë të paatuorizuar pas publikimit të paautorizuar në vitin 2007 dhe 2017, thuhet tutje në deklaratë, ku shtohet se “fenomeni ajror i observuar në këto video mbetet i paidentifikuar”.
Sidoqoftë, Luis Elizondo, ish-drejtuesi i programit të klasifikuar, i tha CNN më 2017 se ai personalisht beson se ka prova shumë bindëse që ne mund të mos jemi vetëm.
“Këta avionë – do t’i quajmë aeroplan – po shfaqin karakteristika që aktualisht nuk janë brenda inventarit të SHBA dhe as në ndonjë inventar të huaj për të cilin ne jemi të vetëdijshëm,” tha Elizondo për objektet që ata hulumtuan. /Reporteri.net