Klubet kosovare në futboll e kanë gjetur mënyrën si të keqpërdorin me fondet që Federata e Futbollit të Kosovës, me mjete vetanake, i ka ndarë për to dhe për futbollistët.
Disa orë më parë, Shoqata për Mbrojtjen e Të Drejtave të Futbollistëve reagoi me një komunikatë ku raportoi për keqmenaxhim të fondeve të futbollistëve nga klubet, derisa u tha se në mënyrë arbitrare janë lënë jashtë listave disa futbollistë për marrjen e të hollave.
Në këto lista janë futur punonjës të tjerë, të cilëve qartazi nuk u takon të jenë pjesë e këtij programi të FFK-së për ndihma financiare.
Periskopi ka kontaktuar me Shoqatën në fjalë dhe ka kuptuar se, deri tani, tri klube të Superligës, dy të Ligës së Parë dhe një i Ligës së Dytë janë të përfshira, por thuhet se Ligës së Dytë ende nuk u janë shpërndarë në tërësi mjetet, andaj ka mundësi të rritet numri.
“Janë disa ankesa që kanë ardhë në drejtim të Shoqatës, besoj se do të ketë edhe të tjera që do të vijnë në vazhdim,” tha kryetari i bordit të Shoqatës.
“Ka lojtarë që kanë mbetur jashtë listës së përfitimit dhe ka të tillë që u është kërkuar t’i kthejnë të hollat.”
I pyetur se nën cilat arysetime klubet u kanë kërkuar futbollistëve që t’i kthejnë të hollat, i njëjti ka thënë:
“Ka arsyetime të ndryshme, por njëri prej tyre është se klubi ka vendosur t’ua jap 50% të pagës.
“Shembull: Nëse flasim për Superligë, dhe një futbollist i ri e ka rrogën 400€, i bjen që do të marrë vetëm 200€, kurse FFK u ka ndarë nga 350€.
“Klubi u ka kërkuar t’i kthejnë 150€, gjë që është totalisht e papranueshme sepse ndihma nuk ishte dashur të preket nga klubet. Ka edhe raste tjera…”
Mjetet financiare u janë dërguar futbollistëve nëpër xhirollogaritë e tyre personale, në mënyrë që të evitoheshin probleme të tilla, por duket se prapë ka qenë e pamundur të evitohet keqpërdorimi.