×
  • Lajme
  • Lajme

    Isa Mustafa e quan puçist Sfeçlën: E zgjodha MPB-në pasi VV e donte për burgosjen e kundërshtarëve

    Reporteri
    30 Prill 2020 | 10:49

    Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka reaguar pas konferencës së mbrëmshme të ministrit të Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, duke thënë se ai ka kërcënuar me arrestim një deputet pa fije turpi, si dhe presidentin.


    Sipas tij, këtë nuk do ta bënte Agim Veliu.

    Mustafa thotë se e zgjodhi MPB-në pasi kishte frikë se VV do ta keqpërdorë këtë ministri për burgosje të kundërshtarëve, shkruan Reporteri.net.

    Kreu i LDK-së thotë se pret nga prokuroria ta trajtojë një sjellje të tillë, nëse jo, siç shprehet të arsyetojë bazën ligjore të një kërcënimi të tillë puçist ndaj një deputeti, shkruan Reporteri.net.

    Postimi i tij:

    Të nderuar qytetarë

    Në takimin me z. Kurti për ndarjen e përgjegjësive në koalicionin qeverisës VV-LDK, ministrinë e parë e zgjodha atë të Punëve të Brendshme.

    Isha pak në siklet se si ta arsyetoj që për LDK-në, prioriteti i saj si parti që është themeluar dhe drejtuar nga intelektualë dhe akademikë është kjo fushë!

    Zgjidhja ishte reflektim i frikës dhe dyshimit se VV do ta keqpërdorë këtë ministri për burgosje të kundërshtarëve, për sajime të dosjeve, për kërcënime, se do tu hakmerret policëve dhe eprorëve të tyre që i mbronin institucionet atëherë kur VV ushtronte dhunë.

    E përcolla, rastësisht, mbrëmë zëvendësministrin në detyrë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike. Në emër të kësaj ministrie, ai pa fije përgjegjësie ligjore dhe as turpi, kërcënonte me arrestim një deputet, kryetar të një partie parlamentare dhe biznesmen qe punëson dhe krijon të ardhura pë mijëra familje kosovare.

    Kërcënonte edhe Presidentin e vendit.

    I thërriste në mejdan.

    Të nderuar qytetarë, këtë nuk do ta bënte për jetë të jetëve, z. Agim Veliu, i cili u shkarkua arbitrarisht nga z. Kurti sikurse asnjë ministër tjetër i LDK-së.

    Të kërcënojë një zëvendësministër në detyrë se do të arrestojë deputetin, që ka legjimitet të përfaqësimit të qytetarëve, është argument se ai është vënë mbi ligjin.

    Deri më sot, qytetarët i ka arrestuar policia me kërkesë të prokurorit apo në flagrance, por jo me diktate politike të ministrave dhe zëvendësministrave, sepse si të tillë, ata janë të emëruar politik.

    Policia drejtohet nga drejtori i policisë, dhe vepron sipas Ligjit për Policinë, nuk drejtohet nga ministri dhe zëvendësministri, qofshin në detyrë apo jashtë detyre.

    Unë pres që prokuroria ta trajtojë një sjellje të tillë, nëse jo të arsyetojë bazën ligjore të një kërcënimi të tillë puçist ndaj një deputeti. IM

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!