Gruaja e një zyrtari mjaft aktiv të Vetëvendosjes është emëruar anëtare në një bord, nga Qeveria Kurti. Fatban Bunjaku është Zyrtar për Logjistikë dhe Informatikë në Vetëvendosje dhe ka qenë në vitin 2017 kandidat për asamblist në Komunën e Prishtinës.
Sot, Reporteri.net mëson se bashkëshortja e tij, Dafina Gexha është emëruar në Bordin Drejtues të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, shkruan Reporteri.net.
Dafina Gexha është emëruar në këtë bord në emër të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës – IKSHPK. Ajo, me vendimin e Qeverisë do të ketë mandat 3 vjeçar.
Para një viti, vet Bunjaku mbante konferencë për media për të kritikuar punësimet partiake në borde publike.
Ish kandidati i VV-së për asamble në Komunën e Prishtinës, Fatban Bunjaku dhe sekretari i Qendrës së Prishtinës, Valdrin Ahmeti kishin paraqitur edhe me fotografi emrat e punësimeve, siç deklaronin, arbitrare dhe partiake në Telekomin e Kosovës.
Edhe në ndërmarrjet tjera publike VV ka dërguar zyrtarë të saj apo të afërm me partinë.
Ndonëse kishte premtuar se do të veprojë ndryshe, ajo në këto 60 e më shumë ditë në qeverisje, megjithatë ka vepruar gati njëjtë si partitë e tjera.