Këshilltari i Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj, ka reaguar edhe një herë pas paralajmërimeve të ushtruesit të detyrës së Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, për mundësinë e arrestimit të Pacollit nëse nuk respekton rregullat e karantinimit.
Zyberaj thotë se rendi kushtetues i Kosovës nuk është sfiduar kaq shumë që nga viti 1989.
“Demokracia dhe rendi kushtetues i Kosovës kurrë nuk janë sfiduar aq shumë nga një qeveri në Kosovë që nga viti 1989 sesa sot.Një ushtrues detyre i Ministrit të Brendshëm thotë publikisht se ata do të parandalojnë hyrjen e deputetit në Kuvend, qoftë edhe duke e arrestuar, duke shkelur detyrën dhe mandatin kushtetues të deputetit dhe bazuar në masat që gjykata kushtetuese për herë të dytë i gjen në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet”, ka shkruar Zyberaj.
Ai tutje ka thënë se shqetësues është fakti që kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, po hesht përballë veprimeve dhe kërcënimeve të qeverisë.
“Shqetësuese është se Kryetarja e Kuvendit Vjosma Osmani-Sadriu ka zgjedhur heshtjen për mosrespektin e qeverisë treguar ndaj Kuvendit dhe shkeljet dhe kërcënimet e përdorura kundër një deputeti. Ajo është përgjegjëse për të siguruar që të gjithë deputetët të kenë akses në Kuvend pa asnjë pengesë”, ka shtuar tutje ai.
Zyberaj thotë se me heshtjen e saj, Osmani po mbështet kërcënimet ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
“Por me heshtjen e saj ajo po mbështet kërcënime të tilla kundër deputetëve. Kjo duhet të shqetësojë të gjithë ne për drejtimin që ka marrë vendi ynë”, ka përfunduar Zyberaj.