×
Opinione

Ëndrrat politike të epidemive

Reporteri
02 Maj 2020 | 17:02

Autor: Afrim Kasolli


Bota vazhdon të mbetet në ankth. Frika nga shpërthimi dhe përhapja virulente e virusit korona ka pushtuar pjesën më të madhe të njerëzimit. Pasiguria dhe kriza ekzistenciale mbi pasojat e Covid-19 është bërë realitet i përditshëm në përmasa planetare. Kjo krizë me të drejtë po konsiderohet më e madhja që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.


Karantinimi i pjesës më të madhe të shoqërive njerëzore dhe pezullimi sa më shumë që të jetë i mundur i raporteve komplekse sociale me qëllim që të frenohet rreziku nga ky “armik i padukshëm” përbëjnë vetëm disa nga masat emergjente që janë ndërmarrë në mënyrë imiditate. Është paralizuar thuajse çdo gjë që e merrnim si të mirëqenë. Aplikimi i masave emergjente me akte administrative është bërë normë qeverisëse. Madje shumë liderë nuk nguruan që ta përdorin edhe retorikën e luftës, duke ngjallur edhe më shumë frikë dhe ankth.

Zbatimi i kësaj logjike ka ngjallur shumë dyshime. A mos nën pretekstin e kësaj “lufte” po kufizohen edhe liritë dhe drejtat tona politike dhe qytetare që deri më tani i kemi marrë si të garantuara? Sidomos kur dihet se kapërthimi i botës nga virusi korona ndodhi në një moment kritik për demokracitë liberale. Kohë kjo kur besimi dhe përkushtimi për vlerat e këtij rendi kishte filluar të venitej e zbehej në masë më të madhe, kur lëvizjet populiste me retorikën e tyre inflamatore po i atakonin pa ndërprerë themelet e këtij rendi, duke i ekspozuar ato si pengesë për demokracinë autentike dhe vullnetin popullor.

Me këtë rast janë ngritur shqetësime serioze, sa a mos ky moment shënon një kthesë nga e cila bota do të jetë krejt tjetër nga ajo që ekzistonte deri më tani? Apo siç pohoi këto ditë në një artikull në Foregin Affairs, Richard Hass, a mund të ndodhë që kjo pandemi të bëhet shkaktare e një recesioni edhe më të madh të demokracive liberale, trend ky që edhe ka qenë evident për më shumë se një dekadë? Pra që autoriteteve qeverisëse nuk do t’u mungojë tundimi për t’i trajtuar “liritë civile si shkaktare të luftës, një luks që nuk mund të ofrohet në kohë të krizës”. Dhe për më tepër sot shtrohet një pyetje fundamentale, se a mund të ndodh që gjatë përpjekjeve për menaxhimin e pandemisë të ndryshojnë edhe format e pushtetit administrativ dhe politik? Pra që të multiplifikohen mekanizmat e kontrollit, survejimit dhe mbikëqyrjes së qenieve njerëzore në një formë të panjohur deri më tani.

Ëndrra politike e Kolerës

Fakti se luftimi i sëmundjeve epidemike nuk ka qenë kurrë çështje vetëm medicinale, por ka pasur vazhdimisht implikime edhe në natyrën e pushtetit është argumentuar nga filozofi dhe historiani francez Mishel Foucalt në librin e tij të njohur “Disiplinë dhe Ndëshkim”. Shumë nga masat e sotme si ato të karantiminit, desocializimit, izolimit dhe disiplinimit, që po aplikohen në menaxhimin e pandemisë së koronavirusit, duken si imitim i metodave që përshkruan ky autor, kur tregon për veprimet që autoritet administrative ndërmerrnin kur kolera e pllakoste një qytet.

Me të kumtuar lajmin për këtë epidemi, “fillimisht behej një kuadratim i rreptë hapësinor; rrethim i plotë, natyrisht i qytetit dhe ‘rrethinave’, ndalim absolut i daljes, ndarje e qytetit në lagje të veçanta, në krye të tw cilave vendoset një oficer i plotfuqishëm”.

Përcaktimi i saktë i mbylljes, kohës së daljes, dezinfektimit, mbikëqyrja e rregullt e çdo lëvizjeje, regjistrimi i çdo detaji, inspektimi me një shikim të mprehur, si dhe caktimi i autoriteteve që kishin për qëllim zbatimin e këtij operacioni “ku secili i mbyllur në kafazin përkatës, secili në dritaren që i takon, secili përgjigjet kur dëgjon t’i thërrasin emrin dhe shfaqet kur e kërkojnë; formonin paradën e madhe të të gjallëve dhe të vdekurve”.

Mirëpo, nga ana tjetër, sipas Foucalt, pikërisht murtaja u bë nxitje për skemat disiplinore, pra bazamenti ku u ngjiz pushteti i njohur “anatomo- politik” i disiplinave. Kështu, në këtë kontekst mori hov ajo që quhet si “ëndërr politike e murtajës” të cilën e karakterizonte ambicia dhe qëllimi për ndalim të “festave kolektive, për veçime të rrepta, depërtim tw rregulloreve deri në detajet më të imta të ekzistencës, me ndërmjetësinë e një hierarkie absolute, që siguron funksionimin kapilar të pushtetit”. Ky model i organizmit, sipas këtij teoricieni, dallon nga metodat që ishin përdorur më herët në trajtimin e sëmundjes së lebrës. Kjo e fundit nxiti ritualet e dëbimit dhe përjashtimit, e të cilat shërbyen si model dhe formë e përgjithshme. Kështu “lebrozi i nënshtrohet një praktike dëbuese, një praktike të mërgimit-rrethimit, ku braktiset, si në gjirin e errët të një mase që nuk ia vlen të diferencohet”. Këto dy skema, edhe pse të lindura në kohë të ndryshme dhe duke ju referuar dy sëmundjeve që dallonin nga njëra tjetra, në njërën anë “lebra me veçimet e saj” dhe në anën tjetër “murtaja me kuadratimet e veta”, si të tilla ato u bënë inspirim për dy lloje të ëndrrave politike. Me këtë rast “e para u bë ëndërr e një komuniteti të kulluar dhe e dyta ajo e një shoqërie të disiplinuar”.

Megjithatë, krahas këtyre skemave të sipërcekura, shoqëritë njerëzore gradualisht iu nënshtruan edhe një modeli të ri të pushtetit – pushtetit mbi jetën. Këtë formë Michcel Foucalt e quan bio-pushtet.

Veçoria karakteristike e tij mbetet përqendrimi i mekanizmave të bio-pushtetit rreth “trupit-lloj, si specie, rreth trupit si vend i zhvillimit të mekanikeve të së gjallës dhe mbështetje e proceseve biologjike”. Pra si në fund të pjesës së parë të librit“Historia e Seksualitet” apo në përfundim të disa ligjëratave të mbajtura në “College De France” e të cilat janë përmbledhur në librin “Shoqëria duhet të Mbrohet”, Michel Foucalt i specifikon disa nga mekanizmat se si jetësohej ky pushtet i ri, që ndryshe ai i quan si mekanizma rregullatorë të popullsisë, e të cilët kanë qenë jetikë në zhvillimin e kapitalizmit, ngase ky i fundit nuk mund ta siguronte “rritjen dhe shtrirjen e vet të qëndrueshme pa futjen e kontrolluar edhe të trupave në aparatin prodhues, dhe pa përshtatjen e fenomeneve të popullsisë me proceset ekonomike”.

Fusha e intervenimit të bio-pushtetit mbetet komplekse, që nga problemet e natalitetit, morbiditetit, problemet e demografisë etj. Me këtë rast zhvillimi i medicinës, funksioni kryesor i së cilës ishte higjiena publike, së bashku me zhvillimin e institucioneve qendrore për përkujdesjen shëndetësore e deri të kampanjat për ta edukuar higjienën dhe medikalizuar dhe vaksinuar popullsinë, nuk mund të paramendohen pa instalimin e këtyre mekanizmave.

Mirëpo, rreziku kryesor nga kapërthimi i tepruar i shoqërisë nga ingranazhi i mekanizmave të bio-politikës bëhet i qartë atëherë kur politikisht dhe teknologjikisht do të jetë e mundur për njeriun që të krijojë në mënyrë laboratorike, “substanca të gjalla, përbindësha, të ndërtojë viruse, të cilat nuk mund të kontrollohen dhe që mbartin potenciale destruktive universale”.

Ëndrra e mundshme politike e COVID-19

Këto përsiatje të Michel Foucalt, mbi ndërthurjen pushtetit disiplinor dhe bio-politik me menaxhimin shpërthimeve epidemike, tregojnë hapur mbi interferimin që mund të kenë në raport më njëra-tjetrën këto sfera.

Ky relacion kompleks nyjor, pashmangshëm do të ndikojë edhe në mënyrën se si po luftohet pandemia COVID-19. Masat emergjente të ndërmarra nga autoritet publike, që kanë për synim frenimin e kësaj sëmundje infektive, mund të kenë implikime për të ardhmen tonë si individuale ashtu edhe kolektive, edhe pas kthimit në gjendjen “normale”. Ekziston rreziku që këto veprime emergjente që po aplikohen aktualisht nesër ta formësojnë “nomosin” e normalitetit të ri. Sepse, siç është dëshmuar gjatë historisë, shpeshherë ato masa që u instaluan si ‘emergjente’ arritën që të transformohen në ‘të përhershme’.

I alarmuar me disa nga konsekuencat negative politike dhe etike të pandemisë, filozofi i njohur italian Giorgio Agamben, ka pohuar se shumë nga vendimet që janë marrë lidhur menaxhimin e kësaj krize, reflektojnë tendencën konstante të autoriteteve publike për ta radikalizuar edhe më tej si dhe shndërruar paradigmën e “gjendjes përjashtimore” (state of exception) në një kusht normal të qeverisjes. Ky rast, sipas tij, tregoi se sa shpejt qeniet njerëzore iu nënshtruan modelit shoqëror të “jetës së zhveshur”, ku shoqëria nuk njeh asnjë vlerë tjetër pos asaj të mbijetesës. Kështu, brenda një kohe shumë të shkurtër, ajo u zhvesh nga shumë prej zakoneve të përditshme praktike si “ kushtet normale të jetës, raportet sociale, puna, rregullat e përshëndetjes, shoqëritë ndërpersonale, ritet religjioze dhe aksionet publike politike”. Prandaj, ky filozof e shtron pyetjen se çka mund të ndodhë me ata individë që do të detyrohen të jetojnë për një kohë të pacaktuar sipas këtyre konditave? Po ashtu, jo më pak shqetësuese, konstaton Agamben, mbetet pyetja se çka do të vijë pas kësaj krize pandemie? Edhe përkundër faktit se askush nuk mund ta thotë me siguri fundin e saj, çka nëse tentohet të vazhdohet praktika e vazhdimit të mësimeve në shkolla dhe universitete vetëm sipas modelit online, kurse objektet e tyre të qëndrojnë të mbyllura e të mos frekuentohen fizikisht. Apo nëse dikush dëshiron t’i ndalojë dhe stopojë të gjitha “takimet kolektive ku diskutohet për çështje të përbashkëta politike dhe kulturore, ku këmbimi i komunikimit zhvillohet vetëm në mënyrë digjitale me njëri-tjetrin dhe ku më në fund teknologjia shërben si zëvendësim për çdo kontakt ndërmjet qenieve njerëzore”.

Zbatimi i projeksioneve të tilla “imagjinare” ka gjasa të bëhet realitet sot më shumë se asnjë herë tjetër me parë, falë avancimit tekonolgjik që sot shtetet e kanë në dispozicion, e ku “qeveritë mund të mbështeten në sensorë të kudondodhur dhe algoritme të fuqishme në vend të spiuneve prej mishi dhe gjaku të së kaluarës” .

Bie fjala, një nga masat strikte që është paralajmëruar se do të zbatohet në mënyrë rigoroze edhe në situatën “post-pandemike”, krahas mbajtjes së dorëzave dhe maskave në vendet publike, mbetet edhe ruajtja e përpiktë e distancës fizike ndërmjet njerëzve. Ndërkaq, me qëllim të implementimit sa më efikas të këtyre kritereve shumë kompani kompjuterike digjitale kanë zhvilluar tashmë programet e veçanta, ku njerëzit do të mund të detektoheshin në kohë reale, nëse janë duke iu përmbajtur rregullave të distancimit social. Prandaj, lirisht mund të themi se zhvillimi efikas i këtyre mënyrave të sofistikuara të survejimit, të mbështetura edhe nga avancimet e inteligjencës artificiale, duke limituar dhe kontrolluar deri në minimum çdo kontakt dhe afërsi normale njerëzore, për një kohë që nuk dihet, do të ketë pasoja të paparashikueshme për jetën tonë sociale dhe politike.

Kjo qasje e monitorimit të plotë të jetës njerëzore nën emrin e luftës kundër koronavirusit do shërbente si truall “apokaliptik” për lulëzimin e një e molepsje tjetër “vdekjeprurëse”, vetëm se tani me karakter politik. Suksesi i këtij modeli do të minonte njërin nga kushtet bazike mbi të cilat zhvillohet vetë jeta politike. Ai do të cenonte atë hapësirë që, siç thotë Hana Arendt, përbën botën tonë të përbashkët. Është ky realitet që zhvillohet ndërmjet nesh dhe si i tillë formëson substratin nga i cili pluskon aksioni njerëzor në mënyrë spontane. Ndërkaq kjo botë e përbashkët, do të ishte e pamundur pa bashkëpunimin e njeriut me të tjerët. Kjo është edhe arsyeja që kjo teoriciene ka pohuar disa herë, në kundërshtim me traditën filozofike perëndimore, se njeriu nuk është qenie politike që lind për nga natyra, por ai shndërrohet dhe bëhet i tillë kurdo që involvohet në bashkëveprim me qeniet tjera njerëzore. Dhe në saje të këtij kapaciteti për veprim njerëzit e ndërtojnë mediumin unik të politikës brenda të cilit shpërfaqet liria. Suspendimi i këtij potenciali e cenon funksionimin e kësaj sfere. Dhe po ashtu i hap rrugë triumfit të depolitizimit administrativ qeverisës. Vazhdimi i masave të desocializimit, izolimit dhe veçimit të njerëzve, duke i monitoruar ata pa ndonjë afat të saktë dhe të qartë dhe duke i trajtuar vetëm nga këndvështrimi infektiv virulent, paraqesin një kontribut “ideal” në realizmin e këtij projeksioni “distopik“. Dhe nëse në të kaluarën epidemitë si kolera dhe lebra kishin ushqyer dhe inspiruar ëndrrat tyre politike, atëherë ka rrezik që sot orkestrimi, kontrollimi teknologjik dhe dizajnimi i një “vetmie të organizuar” shoqërore, të promovohet si ëndrra politike e koronavirusit.

Përfundimisht, rreziqe të tilla shihet qartë se janë bërë më aktuale se asnjëherë më parë. Ato tregojnë se beteja kundër pandemisë globale COVID-19 nuk guxon të zhvillohet në antinomi me normat demokratike liberale dhe duke shpërfillur rendin ligjor. Me qëllim që të parandalohet një degjenerim i tillë dhe me pasoja fatale Cas Mudde, një nga autoritet më të spikatura të studimeve mbi populizmin bashkëkohor, kohë më parë, kishte propozuar ndërtimin tri parimeve kyçe se si duhet të bëhet vlerësimi i saktë i çdo mase emergjente. Këto principe drejtuese bazohen në tri pyetje konkrete: (1) cili është kontributi i tyre konkret në luftën kundër pandemisë? (2) cilat mund të jenë konsekuencat e tyre negative për demokracinë liberale?, dhe (3) kur ato do të anulohen?. Sipas këtij studiuesi, nëse nuk ekziston një përgjigje saktë dhe e qartë në këto tri pyetje, atëherë ato masa duhet të refuzohen pa ekuivoke dhe menjëherë. Vetëm duke i kombinuar në mënyrë delikate dhe të ekuilibruar këto veprime atëherë fitorja kundër virusit do të ishte kuptimplotë dhe domethënëse për te gjithë ne. Përndryshe, një fitore biologjike dhe shëndetësore, duke sakrifikuar liritë dhe të drejtat qytetare që i kemi gëzuar deri më tani, do të shënonte fundin e një bote të përbashkët politike, çfarë e kemi njohur deri sot dhe fillimin e një epoke të paqartë e të shoqëruar nga e errësira e pasigurisë.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!