Qeveria e Kosovës sot do të mbajë mbledhjen e rregullt e cila pritet të fillojë nga ora 12:00.
Në këtë takim të ekzekutivit të Qeverisë pritet të merret vendimi për ndarjen e mjeteve financiare që do t’i dhurohen Francës për rindërtimin e katedrales Notre Dame, një pjesë e së cilës u shkatërrua tri ditë më parë pas përfshirjes nga zjarri.
Zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi ka konfirmuar për Reporteri.net se ndarja e mjeteve për Notre Damen është në rend të ditës.
Ajo ka shtuar se nuk mund të konfirmojë shumën, mirëpo gazeta mëson se kjo shumë pritet të jetë 20 mijë euro.
Ndryshe, vendimi i Qeverisë së Kosovës për të ndarë mjete financiare për rindërtimin e Katedrales Notre Dame është kritikuar nga spektri politik në vend. Kundër këtij vendimi gjatë ditës së djeshme u shpreh edhe bashkëkryesuesi i Ekipit Dialogues, Shpend Ahmeti.
Deri më tani, ndihmat e mbledhura për rindërtimin e Notre Dames kanë shkuar rreth 1 miliardë euro. Ato kanë ardhur kryesisht nga familjet e pasura të Francës. Edhe Donald Tusk, Presidenti i Këshillit të Europës, kërkoi nga 28 vendet anëtare të Bashkimit Europian që të ndihmojnë në rikonstruksionin e saj.
Mjete financiare në shumën prej 100 mijë euro për rindërtimin e Notre Damës gjatë ditës së djeshme ka ndarë edhe Qeveria e Shqipërisë. /Reporteri.net
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.