I mandatuari për kryeministër nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, nuk po e pret fare vendimin e Gjykatës Kushtetuese rreth kushtetutshmërisë së dekretit që e bëri atë mandatar.
Ai edhe sot është deklaruar si kryeministër, duke thënë se ka nisur komunikimi me institucione të caktuara për të absorbuar mbështetje teknike dhe financiare për ta kaluar krizën, shkruan Reporteri.net.
Sipas Hotit, kur dihet shoku të cilin e ka shkaktuar COVID 19, duhet të masat të ndërmerren sa më shpejt.
“Është evidente se COVID-19 ka shkaktuar shok ekonomik, duke ndikuar negativisht në prodhim, punësim, të ardhura dhe eksporte. Prandaj, duhet ndërmarrë masa që sa më parë të normalizohet funksionimi i jetës ekonomike në vend. Për mobilizimin e fondeve për rimëkëmbje ekonomike tashmë kemi filluar komunikimin me institucionet relevante për absorbimin sa më efikas të mbështetjes teknike dhe financiare”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Sidoqoftë, Gjykata Kushtetuese ka edhe tri ditë në dispozicion për të sjell vendimin rreth dekretit të presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit. LDK-ja ka thënë se do ta respektojë çdo lloj vendimi, ndërkohë që VV-ja po paralajmëron protesta nëse vendi nuk shkon në zgjedhje./Reporteri.net