Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Albena Reshitaj, pas takimit që ka pasur ky komision me Sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi, ka thënë se Prokuroria duhet t’i fillojë hetimet në lidhje me dyshimet që kanë shfaqur deputetët për keqpërdorime në Ministri të Shëndetësisë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Në këtë komision çështje tjetër ishte keqpërdorimi i tenderëve në këtë kohë të pandemisë. Deputetët shfaqën dyshimet e tyre në lidhje me disa kontrata të paligjshme nga Ministria e Shëndetësisë, në kohë të pandemisë COVID-19”, tha ajo.
Reshitaj tha se deputetët e VV-së janë larguar nga komisioni dhe nuk deshën që të votojnë kërkesën për të ftuar prokurorinë që të hetojë këtë rast, prandaj edhe dështoi në mungesë të kuorumit.
“Nesër në ora 10:00, kur do të mbahet mbledhja e radhës, do të ftojmë që organet e drejtësisë të merren me këtë rast, pasi që ne i kemi kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë dokumentet dhe kontratat por nuk i kemi marrë”, ka thënë ajo. /Reporteri.net/