Pak vite më parë FC Hajvalia ishte një ndër klubet më simpatike në elitën e futbollit kosovar. Ky klub drejtohej nga këngëtari i mirënjohur kosovar Mehedin Përgjegjaj – “Meda”, i cili papritmas u largua nga ekipi, që më pas u shua.
“Meda” i është rikthyer sërish futbollit për ta formuar një ekip me pothuajse të njëjtin emër, por me një prapashtesë, Hajvalia 2020, që do t’i nisë garat nga edicioni i ardhëm në Ligën e Dytë të futbollit kosovar.
“Meda” ka rrëfyer në një intervistëpër gazetën “Zëri” arsyet e rikthimit, synimet, infrastrukturën dhe investimet që do t’i bëjë te “FC Hajvalia 2020”.
Po i riktheheni futbollit, përkatësisht udhëheqjes së një klubi, në kohën më të vështirë të shkaktuar nga koronavirusi. Çfarë ju shtyri të investoni në këtë kohë?
“Meda”: Kush më njeh e di që futbolli është një pasion i madh imi. Jam rritur me futboll dhe nuk e paramendoj që ndonjëherë të ndahem prej tij. Është e vërtetë që situata aktualisht nuk është më e mira, por Hajvalia kishte kaluar tashmë mjaft kohë pa një klub të futbollit. Prandaj, në momentin që kam marrë telefonatën e miqve të mi në Hajvali për themelimin e klubit kam qenë shumë i nderuar dhe pa hezitim kam pranuar që t’i bashkohem grupit.
Me Hajvalinë më herët keni arritur mjaft suksese, duke qenë shumë afër titullit kampion në Superligë, por ai klub nuk ekziston më. Tash jeni president i një skuadre me emër të ngjashëm FC Hajvalia 2020, a do të thotë kjo që pritet te kemi suksese të njëjta si me Hajvalinë e kaluar?
“Meda”: FC Hajvalia është një moment krenarie në jetën time. Në shumë pak kohë kemi arritur që të bëjmë shumë gjëra, madje të synojmë edhe titullin. Por, megjithëse e kishim nisur me shumë dashuri dhe me vetëmohim atë projekt, mendoj që ne kishim mungesën e përvojës për të realizuar gjithçka me përpikëri. Prandaj edhe u detyruam që ta shuajmë klubin. Por tani është një situatë krejt e re. Ne kemi përvojën, kemi mbështetjen e thuajse të gjithë ish-futbollistëve që kanë luajtur në Hajvali, grupi i njerëzve që është afruar rreth klubit është shumë më i madh dhe më profesional dhe çka është më e rëndësishmja, ambiciet tona janë të qarta. Ne nuk e kemi nisur një klub për 1 ose 2 vjet. Ne po nisim një klub që do t’i rezistojë kohës. Kemi plan veprimi të detajuar që do të garantojë sukses, por edhe jetëgjatësi të FC “Hajvalia 2020”.
Futbolli i Kosovës tashmë është pranuar në arenën ndërkombëtare, a nënkupton kjo që po ktheheni ta bëni një skuadër konkurrente edhe për arenën ndërkombëtare?
“Meda”: Pranimi i futbollit tonë në arenën ndërkombëtare ka qenë një ndër lajmet më të mira që kemi marrë si sportdashës. E sukseset e Kombëtares na kanë bërë të gjithëve krenar. Pa dyshim, ky lajm është një shtysë për ne që të punojmë edhe më seriozisht në ndërtimin e klubit, por, siç e thashë edhe më parë, ne nuk do të ngutemi në synimet tona. Do të veprojmë ngadalë, sigurt, por nëse e shohim që kemi mundësi të arrijmë edhe më tepër, natyrisht që nuk do të ndalemi.
Sa i përket infrastrukturës, Hajvalia pritet ta ketë një stadium bukur modern. Çfarë pune është bërë deri tash?
“Meda”: Punimet në stadiumin e Hajvalisë janë duke u zhvilluar akoma dhe ne nuk e kemi një datë të saktë kur ato do të përfundojnë. Prandaj, për momentin ne nuk e kemi menduar që të zhvillojmë ndeshjen në atë stadium. Do të vazhdojmë në Kishnicë, si zakonisht, prandaj do të shohim se çfarë do të ndodhë.
Çfarë investimesh pritet të bëhen në këtë skuadër dhe cili është premtimi juaj për tifozët e Hajvalisë?
“Meda”: Ne tashmë jemi duke konsoliduar Kryesinë, Bordin dhe të gjitha departamentet përkatëse të klubit. Kemi plane dhe ide të shumta. Natyrisht, investimet nuk do të mungojnë në asnjë drejtim. Madje do të ketë edhe befasi shumë të këndshme që do të jenë frytdhënëse dhe të mira për të gjithë futbollin e Kosovës dhe jo vetëm Hajvalinë. Tifozëve dhe qytetarëve të Hajvalisë ua themi vetëm një gjë. Ne jemi këtu për të qëndruar dhe për të krijuar një skuadër, për të cilën do të jemi krenarë të gjithë.
Krahas Hajvalisë 2020, është formuar edhe Shkëndija, një fshat me dy skuadra, si e vlerësoni këtë fakt?
“Meda”: Hajvalia ka pasur mungesë të futbollit, prandaj është e natyrshme që të ketë edhe iniciativa për krijimin e klubeve të tjera. Mendoj që në të gjitha variantet është më mirë të ketë dy klube sesa asnjë. Ne kemi bashkëpunim të mirë edhe me djemtë, të cilët janë angazhuar në KF Shkëndija. Por, ne jemi të fokusuar në klubin tonë, i cili dita-ditës po pasurohet me emra të shquar nga të gjitha fushat dhe profesionet. Jemi duke ndërtuar një organizim të mirëfilltë, me standarde të larta dhe të denja për një klub profesional të futbollit