Aleanca Kosova e Re (AKR) e ka mirëpritur ftesën e të dërguarit presidencial amerikan Richard Grenell për të rifilluar dialogun midis Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura dhe sovrane në Shtëpinë e Bardhë më 27 Qershor që synon të arrijë njohje reciproke siç përcaktohet në letrat e Presidentit Donald Trump.
Nëpërmjet një komunikate për media thuhet se AKR mbetet e përkushtuar të mbështesë institucionet e Republikës së Kosovës për të arritur një konsensus më të gjerë për një çështje kaq të rëndësishme për vendin, siç është dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe të sigurojë ulësen e Kosovës në Kombet e Bashkuara, BE dhe NATO.
“Respektimi i rendit kushtetues të Kosovës dhe i integritetit territorial janë kornizat negociuese të vendit në këtë proces. AKR u bën thirrje të gjitha palëve të mbështesin këtë mundësi historike. Kosova gjithmonë ka fituar në 1999 dhe në 2008 dhe në vazhdim kur ka qëndruar me Shtetet e Bashkuara te Amerikës, miqtë Evropian dhe u ka besuar atyre.”, thuhet në reagimin e AKR-së.
Sipas tyre, Kosova ka qenë gjithmonë një projekt i unitetit euroatlantik.
“Në këtë frymë, bashkëpunimi midis SHBA dhe BE është thelbësor për të siguruar përfundimin e procesit të dialogut. Edhe vizita e perfaqesuesit special zt.Lajçak sigurisht qe shënon një hap përpara në këtë proces”, thuhet në komunikatë.