Lamih Balaj, kryetar i Federatës Sindikale të Pavarur të PTK-së, ka kërkuar nga institucionet hapa konkret në zgjidhjen e problemit në të cilin është futur Telekomi, pasi i janë bllokuar xhirollogaritë nga përmbaruesi privat për shkak të rastit të humbur në Arbitrazh me Dardafon.net, i njohur si Z Mobile.
Në një konferencë për media, të mërkurën, Balaj, ka paralajmëruar grevë të punëtorëve në rast se institucionet nuk marrin hapa konkret.
“Kërkojmë nga institucionet që të ndërmarrin hapa konkret dhe t’i lëshojnë llogaritë, në të kundërtën ne do të hyjmë në grevë bashkë me familjet tona dhe nuk do të respektohet asnjë masë kundër COVID-19”, ka thënë Balaj.
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar për bllokimin e llogarive të Telekomit të Kosovës nga përmbaruesi privat në lidhje me rastin e Dardafon.net.
“Sot morëm njoftimin se llogaritë e Telekomit të Kosovës janë bllokuar ashtu që Dardafone net/Devolli të zhvasë një borxh fiktiv të sajuar nëpër procese të orkestruara. Pra 24. 6 milionë euro i pretendon pala që sot duhet të ishte e paditur dhe e gjykuar bashkë me nënshkruesit menaxherial e politikë për kontratë me elementë të krimit të organizuar. Çdo veprim që po bëhet mbi Telekomin është i orkestruar dhe i toleruar në bashkëpunim me drejtuesit politikë që gjenden në Qeverinë e Kosovës dhe partnerët e tyre politikë të klubit PLAN me të cilët po i kryejnë pazaret e të gjitha niveleve. Për t’u theksuar është zelli i gjyqtares në Gjykatën Themelore, që mes mijëra lëndëve që presin me vite, në kohë rekorde, në më pak se 2 javë ka nxjerrë një vendim me peshën e rrënimit të Telekomit e në favor të Dardafone.net e Devollëve. Edhe njëherë theksojmë se Telekomi i Kosovës është çështje e sigurisë shtetërore, e sigurisë së 2350 punëtorëve të Republikës së Kosovës dhe e gjithë sektorit të komunikimeve elektronike e shumë ndërmarrjeve tjera publike e private të lidhura me Telekomin. Kjo duhet të ndalet sa më parë dhe heshtja e Prokurorisë e Qeverisë është e patolerueshme. Grupi ynë parlamentar e shtroi këtë çështje ditën e hënën 13 korrik, para Kuvendit, si çështje urgjente, por deputetët e kapur pas pushtetit korruptiv nuk pranuan ta fusnin në rend të ditës. Edhe Kuvendi duhet sa më parë ta trajtojë këtë çështje dhe të marrë qëndrim për ta ndalur këtë kanosje të rendit e sigurisë në vend”, ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje.