Partitë shqiptare në komunën e Bujanocit kanë arritur marrëveshje për koalicionin qeverisës, shkruan Reporteri.
Liderët e partive shqiptare në selinë e PD-së kanë nënshkruar marrëveshjen për koalicion që u jep atyre shumicën në Kuvendin Komunal.
Sipas kësaj marrëveshje, shqiptarët në Bujanoc pritet të kenë 26 këshilltarë në Kuvendin Komunal.
Me këtë në opozitë do të mbetet SNS e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Kryetar i ri i Bujanocit do të jetë Nagip Arifi partia e së cilit doli e para në zgjedhjet e fundit, ndërkaq PVD pritet ta ketë kryetarin e Kuvendit.
Lajmi është konfirmuar edhe nga Ministri i Jashtëm Shqiptar, Gent Cakaj. Cakaj ka falënderuar liderët e Luginës që janë bërë bashkë edhe një herë.
Postimi i tij:
Miq, miq, miq:
NJË SUPER LAJM NGA ZEMRA E LUGINËS SË PRESHEVËS ??❤:
Partitë politike shqiptare tashmë kanë mbyllur marrëveshjen për bashkëqeverisje në Bujanoc. Kjo është pothuajse e arritura më domethënëse që kemi shënuar bashkërisht në Luginë: Bujanoci do të qeveriset drejtë nga shqiptarët e nuk do të varet nga askush tjetër, përveç shumicësh shqiptare.
Personalisht i detyrohem një falënderim të posaçëm z. Nagip Arifi, z. Shaip Kamberi, z. Shqiprim Musliu e z. Arbër Pajaziti që i qëndruan fjalës së dhënë në mbledhjen e djeshme në Tiranë duke arritur këtë marrëveshje që është jetike për Bujanocin e shqiptarët e Luginës!
Neve, ndërkaq, na takon ta vazhdojmë punën e pakursyer në shërbim të mbështetjes së Luginës e gjithë shqiptarëve në përgjithësi!
URIME BUJANOC, LUGINË E PRESHEVËS E SHQIPTARË NË PËRGJITHËSI!
/ Reporteri.net