×
  • Lajme
  • Lajme

    Albin Kurti: Qeveria koti bashkë me presidentin po shpërblen vëllezërit e ministrave me grada ambasadorëve

    Reporteri
    17 Korrik 2020 | 15:09

    Ish-kryeministri Albin Kurti ka akuzuar rëndë Qeverinë e Avdullah Hotin, duke thënë se po shpërblejnë me grada të ambasadorëve vëllezërit e ministrave.


    Sipas Kurtit, Qeveria aktuale po i sfidon vendimet e marra nga Qeveria e tij, që i quan të mira, shkruan Reporteri.net.

    “Vendimet e mira të qeverisë sonë po sfidohen nga qeveria koti edhe te Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD). Ne parashihnim auditimin e gradave diplomatike, ndërsa qeveria koti në koordinim me presidentin po shpërblen vëllezërit e ministrave me grada të amabsadorëve”, ka thënë Kurti.

    Ky është reagimi i plotë:

    Favoret e brendshme në shërbimin e jashtëm

    Vendimet e mira të qeverisë sonë po sfidohen nga qeveria koti edhe te Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD). Kur Republika e Kosovës gjendet në pozicionin e saj më të dobët ndërkombëtar që nga shpallja e pavarësisë, vendime e veprime të parregullta vetëm sa po e rëndojnë situatën duke cenuar potencialin e MPJD-së dhe të shërbimit të jashtëm të Republikës.

    Ne parashihnim auditimin e gradave diplomatike, ndërsa qeveria koti në koordinim me presidentin po shpërblen vëllezërit e ministrave me grada të amabsadorëve; përderisa ne po realizonim një proces profesional të rotacionit diplomatik, qeveria koti tejzgjatë mandatet e fëmijëve të ministrave dhe të figurave të PDK-së; ne ishim duke vendosur rregull përbrenda ministrisë, qeveria koti me transfere e rrokada sjell njerëz partiak e pa përvojë diplomatike në pozita të larta përbrenda MPJD-së; ne po krijonim hapësirë për diplomatët e karrierës, tash qeveria koti po kthen në shërbim konsuj të paligjshëm partiak.

    Sipas modelit të regjimit të vjetër, çmimi i emërimit klientelist u pagua jo rrallë me lobime për pazare personale: prej librit të presidentit deri te projekti për pazare territoriale me Serbinë. Shërbimi i jashtëm duhet të jetë besnik ndaj Republikës dhe interesave kombëtare. Secili zyrtar i shërbimit të jashtëm “borxh” i ka vetëm atdheut e askujt tjetër.

    Shërbimi i jashtëm duhet të përbëhet nga diplomatë të disiplinuar dhe me përgatitje të lartë, me dije të gjerë e kulturë të thellë, të cilët punojnë për mbrojtjen dhe përparimin e interesave të vendit e jo të shndërrohet në shërbim familjar që shpenzon buxhetin shtetëror për mirëqenien personale të anëtarëve të partive dhe familjarëve të qeveritarëve. Shërbimi i jashtëm nuk është shërbim arsimor e shëndetësor për familjarët e qeveritarëve.

    Zgjedhjet e reja mundësojnë kthimin e këtyre në gjirin e tyre familjar në Kosovë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!