Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti pas kthimit nga takimi i Brukselit ku pas 20 muajve rinisi dialogu Kosovë-Serbi, ka thënë se Kosova nuk do të bëjë asnjë kompromis. E vetmja rrugë sipas Hotit për normalizmin e marrëdhënieve është njohja reciproke, shkruan Reporteri.net.
“Ne hyjmë në këtë proces jo për të normalizuar vijat e autobusëve. Ka ardhur momenti që të dialogojmë për përmbyllje të të gjitha çështjeve me Serbinë. Normalizimi i marrëdhënieve arrihet vetëm me njohje reciproke”, tha ai.
Hoti është shprehur se Serbia në tavolinë e dialogut natyrisht se do të shfaqë pakënaqësitë e veta por Kosova është me qëndrime të qarta në dialog.
“Në tavolinë pala serbe tregon pakënaqësinë e vet dhe reagimi jonë ka qenë i kulturuar shtetëror dhe me qëndrime të qarta pse jemi në këtë tavolinë. Unë mund të flas vetëm për qëndrimin tonë. Ne jemi në këtë proces për të mbyllur çështjet e hapura me Serbinë duke mos e cenuar intergitetin territorial. Ne besojmë thellë se dialogu nuk ka alternativë, ne jemi këtu do të qëndrojmë në tavoline të dialogut deri të arrijmë marrëveshjen por nuk lëvizim prej qëndrimeve. Nuk do të bëjmë asnjë kompromis por vetëm njohje reciproke”, tha Hoti në Pressing.
Takimi Hoti-Vuçiq u realizua me ndërmjetësimin e BE-së. Të mërkurën do ta vazhdojë dialogu për çështje teknike. Ndërsa, takimi i nivelit të lartë do të jetë në muajin shtator.