Eliminimi turpërues nga Liga e Kampionëve pas një paraqitjeje tejet të dobët dhe të tmerrshme kundër Bayern Munich ishte fundi i një epoke në Barcelonë.
Klubi e ka shprehur tashmë nevojën për ndryshim dhe gazeta spanjolle “AS” nënvizon se zhveshtorja dëshiron: gjak të ri, zgjedhje dhe që Xavi Hernandez të emërohet trajner i ri.
Koha për ndryshime në Barcelonë ka ardhur. Humbja turpëruese 8:2 kundër Bayern Munich në çerekfinale të Ligës së Kampionëve i ka bërë të gjithë ta kuptojnë se ky ishte fundi i një epoke në Camp Nou.
Gjenerata, e cila e udhëhoqi klubin drejt lavdisë, po perëndon. Një lojtar i rëndësishëm si Gerard Pique e ka thënë troç dhe para krejt botës se Barcelona ka nevojë për ndryshim rrënjësor, duke nisur me largimin e lojtarëve të rëndësishëm.
Qendërmbrojtësi ishte lojtari i cili doli të flasë publikisht dhe e bëri këtë me përkrahjen e zhveshtores.
AS shkruan se lojtarët kryesorë të Barçës i mbështesin komentet e Piques sepse pajtohen me qëndrimin e tij.
Pique tha se është i gatshëm të largohet i pari, por shtoi se shpreson se presidenti Josep Maria Bartomeu është mjaftueshëm i guximshëm sa për të shpallur zgjedhje të reja.
“Atmosfera është shumë e tensionuar. Problemet nuk do të rregullohen me një apo dy fytyra të reja, çdo gjë duhet të ndryshojë”, shkruan e përditshmja spanjolle.
Ndërsa sipas COPE, kapiteni Lionel Messi ka kërkuar zgjedhje të reja dhe ndryshim rrënjësor, përndryshe kërcënon me largim qysh në vitin 2021 pas asnjë qindarkë. /Reporteri.net/