Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj Stublla, ka konfirmuar se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nuk ka bërë kërkesë në Zyrën Ndërlidhëse të Kosovë në Serbi për të vizituar Kosovën.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka thënë se bazuar në marrëveshjen për vizitat zyrtare, zyrtarët serbë janë të detyruar që të bëjnë njoftimet me shkrim rreth vizitave të tyre në Republikën e Kosovës, shkruan Reporteri.net.
Një vizitë të mundshme të Vuçiqit përpara takimit në Washington, Haradinaj Stublla e konmsideron si provokim politik dhe kundërproduktiv përpara nismës serioze e konkrete që partnerët ndërkombëtarë kanë ndërmarrë.
Ky është postimi i plotë i saj:
Pas pyetjeve të shumta nga mediet, dua të konfirmoj se Vuçiqi NUK ka bërë kërkesë në Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi për të vizituar Kosovën.
Bazuar në marrëveshjen për vizitat zyrtare e arritur në Dialogun e Brukselit më 14 nëntor 2014, zyrtarët serbë janë të detyruar që të bëjnë njoftimet me shkrim rreth vizitave të tyre në Republikën e Kosovës. Kërkesa duhet parashtruar në mënyrë të drejtpërdrejtë tek Zyra jonë Ndërlidhëse në Serbi, përkatësisht Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Pika 2/a e marrëveshjes e saktëson se për grupin e parë të zyrtarëve (që përbëhet nga presidenti, kryeministri, zëvendëskryeministrat, kryetari i kuvendit dhe ministrat e punëve të brendshme, punëve të jashtme dhe të mbrojtjes) njoftimi duhet të bëhet të paktën 72 orë përpara.
Në javën kritike kur Kosova bën përpjekje për të ndërtuar unitetin politik e institucional për takimin trilateral me Serbinë në Washington, nën lidershipin e Shtëpisë së Bardhë, vizitat potenciale do të konsideroheshin si provokim politik dhe kundërproduktiv përpara nismës serioze e konkrete që partnerët ndërkombëtar kanë ndërmarrë.
Kosova dhe resurset e saj natyrore janë pronë e Kosovës dhe qytetarëve të saj, e nuk do të bëhen asnjëherë plato e defilimeve provokuese për të tentuar avancimin e interesave që i përkasin shekullit të kaluar.
Kosova mbetet e përkushtuar si palë konstruktive në avancimin e paqes, sigurisë, dhe stabilitetit në rajon. /Reporteri.net/