Lëvizja Vetëvendosje i është përgjigjur negativisht ftesës së kryeministrit Avdullah Hoti, për të marrë pjesë në takimin e dialogut ndërmjet palës serbe dhe asaj kosovare më 4 shtator në Washington dhe takimit në Bruksel më 7 shtator, shkruan Reporteri.net.
Zëdhënësi i VV-së, Përparim Kryeziu ka thënë për Reporteri.net se kjo qeveri është jolegjitime dhe VV nuk do të jetë pjesë e takimit.
“Në përputhje me qëndrimet tona në raport me këtë qeveri jolegale dhe jolegjitime, për arsyet e lartëpërmendura, por jo vetëm, Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk do t’i përgjigjet pozitivisht kësaj ftese. Pozicioni ynë në këtë çështje është i qartë. Kosova mund të dialogojë me Serbinë vetëm pas zgjedhjeve të parakohshme kur do të kemi qeveri me legjitimitet të plotë, që harton, prezanton dhe siguron unitet përmes një platforme që merr mbështetjen e 2/3 të deputetëve në Kuvend si dhe duke u nisur gjithnjë nga reciprociteti si parim i marrëdhënieve të barabarta ndërshtetërore”, tha ai.
Kryeziu ka thënë se thirrjet e kësaj qeverie për unitet dhe gjithëpërfshirje, sfidohen nga vet veprimet dhe shterpësia e saj.
“Kjo qeveri është jolegjitime dhe jokredibile pasiqë nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve dhe nuk buron nga vota e tij në zgjedhjet e fundit. I mungon platforma me parime dhe vija të kuqe për procesin e dialogut – ndonëse një dokument të tillë e parasheh në programin e saj qeverisës. Nuk ka mbështetje të gjerë në Kuvend ku është e varur nga secila votë e Listës Serbe, dhe i është nënshtruar Serbisë dhe çdo kërkese të saj deri më tani” shtoi ai.
Sipas tij, përkundër faktit se prioritetet e Kosovës duhet të jenë menaxhimi efikas i pandemisë COVID-19, rimëkëmbja ekonomike, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, dhe zhvillimit socio-ekonomik, kjo qeveri plotësisht e çorientuar dhe duke dështuar në secilin rrafsh po i jep vëmendje të pakushtëzuar një procesi për të cilin as nuk ka planifikim, as përgatitje, as mbështjete por as legjitimitet.
Hoti i ka bërë thirrje edhe PDK që të jetë pjesë e delegacionit por nga kjo parti ende nuk kanë dhënë ndonjë qëndrim.