Crvena Zvezda është kthyer në Serbi nga udhëtimi në Tiranë me kualifikimin e siguruar për në turin tjetër të Ligës së Kampioneve.
Por serbët e dinë mirë se ia kanë hedhur paq në “Air Albania” ku nuk ishin skuadra më e mirë në fushë përballë Tiranës. Për këtë ka qenë i ndërgjegjshëm edhe drejtori sportiv, Mitar Mrkela, i cili ka kritikuar skuadrën për atë që ka treguar në fushën e lojës.
“Dua të përgëzoj lojtarët dhe stafin për fitoren dhe kualifikimin në turin e trete të kualifikueseve. Kemi bërë shumë punë këto vite dhe ia kemi arritur të ngrejmë klubin nga vendi i 209, nëtë 55-tin në renditjen e UEFA-s. Është sukses i madh dhe duhet të jemi krenarë. Por kjo i përket të kaluarës, duhet të kthehemi nga ajo që na pret nesër.
Lojtarët tanë duhet ta kuptojnë se Crvena Zvezda po rritet nga dita në ditë dhe gjithashtu edhe pritshmëria. Duhet ta kuptojnë se të luash për të është përgjegjësi e madhe. Nuk është vetëm e rëndësishme të fitosh, por gjithashtu edhe mënyra se si Zvezda fiton. Nuk duhet të luajmë si luajti Zvezda një natë më pare në Tiranë. Kemi luajtur në mënyrë të papranueshme, shumë keq. Ky nuk është ekipi që dua. Natën e kaluar fola edhe me Stankoviç në aeroport dhe ai është i ndërgjegjshëm për çdo gjë. Kemi bërë ekip të mirë, ndoshta më të mirin e 6 viteve të fundit dhe është normale që ka pritshmëri.
Për këtë ndeshje kishte shumë trysni, por është normale pasi bëhet fjalë për Zvezdën, ka gjithmonë trysni. E them përsëri, kush nuk është gati të luajë, punojë dhe jetojë nën trysni, nuk bën për Crvena Zvezdën. Jam i pakënaqur dhe i inatosur, nuk them se jam i zhgënjyer sepse në fund të fundit u kualifikuam. Përveç fitores, çdo gjë tjetër nuk funksionoi dhe nuk do të vazhdojë më kështu. Kjo skuadër duhet të jetë shumë më e mirë, kemi shumë punë për të bërë”, ishte paralajmërimi i drejtuesit të Crvena Zvezdës që mori një leksion të mirë përulësie në Tiranë.