Eron Ademi është një nga shumë futbollistët e rinjë nga Kosova që po shkëlqejnë në arenën ndërkombëtare.
Futbollisti nga Shtimja ka ambicie të mëdha në karrierë, derisa së fundmi ndërroi edhe skuadër duke kaluar tek ASV Geel nga Sporting Hasselt në ligën e tretë të Belgjikës.
17-vjeçari arriti të debutojë në mënyrën më të mirë të mundshme te skuadra e tij e re, duke shënuar dy gola në fitoren 3:1 te ASV Geel.
Ai ishte shumë pranë të ndryshonte kampionat, për të kaluar në Holandë te MVV Maastricht, por pandemia COVID-19 ndali lëvizjen e tij.
“Isha së fundmi afër transferimit te MVV Maastricht në Holandë, por me shpërthimin e pandemisë COVID-19, transferimi im nuk u realizua”, nis bisedën me “Zeri.info” Eron Ademi.
Ademi edicionin e kaluar me ASV Geel ishte në formë mbresëlënëse duke realizuar 27 gola dhe 13 asistime në 30 ndeshje të zhvilluara.
“Në klubin e ri po ndihem shumë mirë, po më mbështetin edhe pse jam futbollisti më i ri aty, pra 17 vjeç. Këtu ka futbollistë që më herët kanë luajtur në ligat më të forta të Evropës si Bundesliga dhe Premierliga”, tregon më tej Ademi.
Sikur gjithë bota, edhe Belgjika, shteti ku jeton dhe luan Ademi, ishte e prekur nga pandemia COVID-19.
Eroni në mes të tjerash thotë se gjatë kësaj periudhe ishte i lënduar.
“Kohën në karantinë e kam kaluar i lënduar. Do të thotë, tani kam nisur stërvitjet pas pesë muajsh mungesë. Sa i përket synimeve të mia, synoj të bëhemi kampion dhe të inkuadrohemi një divizion më lart për edicionin e ardhshëm”, potencoi Eron Ademi.
Për fund, dy golat e realizuar në debutim me skuadrën e tij të re, Ademi ia dedikoi dajës së tij, Xhavit Alimusaj, djalit të ish-deputetit të LDK-së, Nimon Alimusaj, i cili ndërroi jetë ditë më parë nga COVID-19.
“Dy golat e shënuar në debutim ia dedikoj dajës sim, Xhavit Alimusaj, i cili vdiq pas infektimit me COVID-19”, përfundoi Eron Ademi të mërkurën për “Zeri.info”.
Vlen të ceket se pas paraqitjeve të mira në Belgjikë, Ademi është ftuar edhe nga grupmoshat U17 të Kombëtares së Shqipërisë vitin e kaluar.