Ned Price, ish-asistenti special i Presidentit të 44-të të Amerikës, Barack Obama, ka akuzuar Richard Grenellin për “dështim spektakolar” në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Price, përmes një postimi në Twitter ka shkruar se Grenell ka dështuar në dy iniciativat kyçe të tij: arritjen e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe dekriminalizimin e komunitetit LGTBQ, shkruan Reporteri.net.
“Richard Grenell i ka shitur vazhdimisht në publik dy nisma kyçe gjatë kohës së tij në administratë: diplomacia mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe dekriminalizimi global i LGBTQ. E para dështoi në mënyrë spektakolare, dhe e dyta është një nismë të cilën partia e tij nuk ia lejon ta diskutojë”, ka deklaruar Ned Price në një shkrim në Twitter.
Grenell i ka reaguar duke thënë se administrata Obama e ka injoruar për tetë vite radhazi raportet e tensionuara Kosovë-Serbi.
“Bisedimet Kosovë-Serbi mbahen javën e ardhshme në Shtëpinë e Bardhë”, ka shkruar fillimisht Grenell. “Ekipi juaj ka injoruar popujt e Kosovës dhe të Serbisë për tetë vjet. Dhe, dekriminalizimi nuk ka qenë asnjëherë prioritet për ju”, ka reaguar Grenell.
Negociatat Kosovë-Serbi do të mbahen më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, nën ndërmjetësimin e Richard Grenell, ku delegacioni kosovar do të udhëhiqet nga kryeministri, Avdullah Hoti, kurse ai serb nga presidenti Aleksandar Vuçiq. /Reporteri.net/.