Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka treguar se cfarë do të bisedohet në takimin Kosovë-Serbi në Uashington më 4 shtator.
Ai thotë se sot janë takuar të gjithë liderët e koalicionit dhe është biseduar në përpikmëri për atë se cfarë e pret delegacionin e Kosovës.
“Parimi i paprekshmërisë territoriale. Parimi i kushtetshmërisë dhe Zajednica nuk do të diskutohen në Uashington fare. Ndërsa që njohja të arrihet është pak e vështirë të besohet. Por do të ketë një avancim politik. Shtëpia e Bardhë do të kërkojë nga BE një avancim më të madh në dialog. BE është frikësuar që mos Shtëpia e Bardhë do të shtyjë përpara një marrëveshje përfundimtare por kjo nuk do të arrihet. Do të ketë një avancim të madh në marrëdhëniet reciproke. Do të diskutohen kryesisht tema ekonomike”, ka deklaruar Haradinaj.
Kreu i AAK-së ka thënë se Hoti e ka përkrahjen e plotë të tij në arritjen e një marrëveshje me Serbinë në Uashington.
“Ai e ka përkrahjen time të plotë. Unë isha gëzuar kur Thaci e shpalli pavarësinë. Do i gëzohem edhe faktit që Hoti na liron dhe kryen punë me Serbinë. Por hapave të gabuar i frikësohem. Dua të jem i sinqertë. Unë i frikësohem tavolinave të dialogut. Kam qenë edhe në luftë. Por kjo është ndryshe”, thotë ai.
Megjithatë, Haradinaj tregon në cilën situatë ai nuk do ta mbështeste Hotin.
“Delegacioni ynë duhet të dijë që nëse është situata e tillë, të cohet nga tavolina. Hoti nuk e ka përkrahjen time kur preket kushtetuta dhe kufijtë”, ka deklaruar Haradinaj.