×
  • Lajme
  • Lajme

    Kosovës i premtohen 1.5 milionë dollarë për blerjen e testeve për coronavirus

    Reporteri
    02 Shtator 2020 | 11:02

    Fondacionet për Shoqëri të Hapur njoftuan sot se planifikojnë të dhurojnë 1,500,000 dollarë për të ndihmuar institucionet e Kosovës në luftën kundër pandemisë së COVID-19.


    Fondet emergjente do të shfrytëzohen nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur për të blerë rreth 100,000 teste Real Time PCR për COVID-19 dhe do ta bëjnë të mundshme që institucionet publike të rrisin kapacitetet e tyre testuese, përfshirë edhe spitalet rajonale – një shtytje e madhe për institucionet publike të cilat për momentin mund të procesojnë rreth 500 teste në ditë.

    “Testimi është një hap i rëndësishëm në asistimin e kontrollimit të pandemisë,” deklaroi Alexander Soros, zëvendëskryesuesi i Bordit të Fondacioneve për Shoqëri të Hapur. “Fitorja në luftën kundër COVID-19 është kyçe për të bërë të mundshme që populli i Kosovës të lulëzojë dhe prosperojë”, thuhet në njoftim.

    Ky grant i njëhershëm emergjent është pjesë e angazhimit më të gjerë të Fondacioneve për Shoqëri të Hapur për të lehtësuar efektet e pandemisë. Në prill, Fondacionet premtuan një investim prej 130 milionë dollarësh për të luftuar shkatërrimin e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit në mbarë botën. Vetëm në Kosovë, Fondacioni ka shpenzuar rreth 600,000 dollarë për të ndihmuar komunitetet e ndjeshme, punëtoret jo-formalë dhe mediat e pavarura.

    “Pandemia i ka zbuluar pikat e ndjeshme të sistemit tonë të shëndetit publik dhe ka dërmuar ekonominë tonë,” deklaroi Luan Shllaku, drejtor ekzekutiv i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur. “Ne shpresojmë se rritja e kapaciteteve testuese do të ndihmojë institucionet e Kosovës në menaxhimin e krizës shëndetësore dhe do të kontribuojë në hapjen e sigurtë të ekonomisë”, thuhet në njoftim. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!