×
  • Lajme
  • Lajme

    Reagon Isa Mustafa: Kryeministrin e udhëzon Kushtetuta e jo liderët e tri partive

    Reporteri
    13 Shtator 2020 | 17:43

    Isa Mustafa, lider i LDK’së, ka thënë se janë të papranueshme deklarimet e Ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, sa i përket përgjegjësive të Kryeministrit në dialogun me Serbinë. Ka thënë se liderët e tri partive në Qeveri nuk i japin udhëzime Avdullah Hotit por i jep Kushtetuta.


    “Tezat, që po i proklamon Ministri i Drejtësisë, se Kryeministri do të jetë i pavarur në punët e tij të brendshme, kurse në punët e jashtme do të udhëzohet nga tre liderët politik, për mua janë ndërhyrje në përgjegjësitë kushtetuese të Kryeministrit dhe qeverisë, prandaj edhe të papranueshme”, ka shkruar Mustafa në një reagim në Fb.

    “Duhet te sqarohem lidhur me disa deklarata që po ipen rreth dialogut dhe rolit tim dhe të liderëve tjerë të koalicionit qeverisës. Unë, si Kryetar i LDK-së nuk i jap udhëzime Kryeministrit Hoti. Unë konsultohem me Kryeministrin dhe partnerët e koalicionit për dialogun dhe për çështjet e tjera programore. Kërkoj dhe do të kërkoj të implementohet Programi qeverisës, kurse dialogu të zhvillohet në suaza të parimeve për të cilat jemi pajtuar”, ka shtuar ai.

    Mustafa ka thënë se preferon konsultime të rregullta dhe përmbajtjesore me partnerët e koalicionit dhe Kryeministrin.

    “Por, edhe ta respektojmë Kryeministrit dhe ti besojme që ai ta kryej detyrën e tij. Kryeministrin e udhëzon Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës; Qeveria dhe Kryeministri i përgjigjen Kuvendit të Kosovës”, ka shtuar ai.

    Ndwrkohw Express ka shkruar se njëri prej pjesëmarrësve në delegacionin e Washingtonit, Selim Selimi, i cili është Ministër i Drejtësisë, ka konfirmuar se Kryeministri do të udhëzohet tash e tutje për temën e dialogut.

    “Aktivizimi i tyre (Haradinaj, Mustafa, Limaj) në çështjet nacionale i bën mirë dhe është udhëzues për Qeverinë. Normalisht, Qeveria i ka pushtetet e veta që ia jep Kushtetuta”, ka thënë Selimi, në një intervistë televizive një ditë më parë.

    Ministri i Drejtësisë ka thënë se Shefi i tij në Qeveri do të vazhdojë t’i ketë kompetencat në fushat e brendshme ndërsa do të udhëzohet në fushën e diplomacisë. Ka thënë se është e domosdoshme që tre liderët e koalicionit të përfshihen në tema nacionale.

    “Sa i përket çështjeve sektoriale Qeveria udhëhiqet nga z. Hoti. Por, por çështjet nacionale siç është dialogu mendoj se është e mirëpritur dhe e domosdoshme që garantuesit e këtij koalicioni që e kanë nënshkruar platformën qeverisëse të kyçen aktivisht. Pasi ata e kanë hisen në formimin e kësaj Qeverie”, ka shpjeguar Selimi.

    Megjithëkëtë, zyrtari i AAK’së ka thënë se koalicioni vazhdon të mbetet stabil pavarësisht mendimeve ndryshe që kanë pasur në momente të caktuara për temat nacionale.

    “Fakti që Kryeministri Haradinaj, Kryetari Mustafa dhe Kryetari Limaj janë garantë të këtij koalicioni, kjo do të thotë se ata janë pajtuar që të jetë Qeveria çfarë është. Koaliconi është stabil, ka diskutim të brendshëm dhe të hapur. Për çështjet sektoriale ne jemi në dakordancë të plotë. Por në çështjet nacionale, sic është dialogu, mendoj se ky diskutim ka qenë më intensiv”, ka shtuar ai.

    Ndërkohë, zyrtarët e LDK’së dhe AAK’së po vazhdojnë ende të mos e thonë të njëjtin version për marrëveshjen për Ujmanin por kanë versione krejt të ndryshme.

    Kryeministri ka thënë ditë më parë se AAK nuk ka ndikuar që marrëveshja për Ujmanin të ndryshohet. Ndërsa, Selim Selimi sot përsëriti se Ramush Haradinaj shpëtoi liqenin nga një marrëveshje që do ta bënte bashkëpronare Serbinë.

    Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi e ka thënë të kundërtën e asaj që e ka deklaruar shefi i tij në Qeveri, Avdullah Hoti.

    Ka përsëritur se marrëveshja për Ujmanin u bë e mirë për Kosovën vetëm pasi Ramush Haradinaj intervenoi nga Prishtina.

    “Aktivizimi i z. Haradinaj nga Prishtina dhe roli i tij aktiv për këtë marrëveshje, mund të them, ka qenë ndryshim pozitivisht. Pasi që këshillat e tij dhe sugjerimet e tij e bën Marrëveshjen më të mirë”, ka thënë Selimi, në intervistën dhënë gazetarit Frango Egro.

    Zyrtari i AAK’së ka dhënë edhe detaje të tjera lidhur me atë se fillimisht ka pasur rrezik që marrëveshja të nënshkruhej ku palët dakodroheshin se do ta ndanin Liqenin e Ujamnit.

    “Ne versionin e parë të marrëveshjes, thuhet se ka një ndarje mes palëve për çështjen e energjisë, pastaj ka dalë studimi i fizibiliteti. Do të thotë që se amerikanët do të bëjnë një udhëzues se si do të shfrytëzohet liqeni për energji. E jo të ndajmë ne liqenin e Ujamnit”, ka thënë ai.

    Ky zyrtar i Qeverisë së Kosovës ka thënë se gjithë ndërhyrja e Haradinajt ka qenë në të mirë të Kosovës.

    “Intervenime të tilla, veçanërisht të z. Haradinaj, i cili ka një përvojë të jashtëzakonshme në dialogim, dhe ka një njohuri për çështjet e sovranitetit dhe çështjet e shtetit ka qenë një pikë kthese në pikat e kësaj Marrëveshjeje”, ka shtuar ai.

    Selimi ka konfirmuar se tash e tutje udhëzues për Qeverinë sa i përket temave nacionale do të jenë Ramush Haradinaj, Isa Mustafa dhe Fatmir Limaj.

    “Për çështje nacionale, është e mirëpritur dhe e domosdoshme që garantuesit e këtij koalicioni që kanë nënshkruar platformën qeverisëse të kycen aktivisht pasi ata e kanë hisen e formimit të kësaj Qeverie. Aktivizimi i tyre i bën mirë çështjeve nacionale dhe udhëzues për Qeverinë”, ka shtuar ai.

    “Çështjet nacionale janë të ndjeshme. Përgjegjësia shkon përtej koalicionit qeveritar”, ka thënë ai.

    Ndërkohë, në temën e ndryshimit të marrëveshjes për Ujmanin është përfshirë edhe Isa Mustafa, i cili ka thënë se s’është e vërtetë se ka pësuar ndryshim pika për liqenin.

    “Formulimi për Ujmanin nuk ka pësuar asnjë ndryshim më dt 4 shtator. Më dt 3 shtator, në mbrëmje, nga Kryeministri Hoti jam njoftuar për harmonizimin e formulimit, i cili është nënshkruar ditën e nesërme ( më dt. 4 shtator)”, ka shkruar Mustafa pas disa reagimeve të Ramush Haradinajt.

    Një ditë para marrëveshjes Kosovë-Serbi në Washington, më 3 shtator, ka pasur përplasje mes dy grupeve të delegacionit, zyrtarëve të LDK’së dhe atyre të AAK’së.

    Nga Prishtina, Ramush Haradinaj kërcënoi se do t’i largonte Ministrat nëse pranohet marrëveshja ashtu siç ishte propozuar nga Amerikanët. Është raportuar pastaj se Haradinaj ka pasur një telefonatë aspak të këndshme nga një zyrtar amerikan, i cili e ka kërcënuar me sanksione amerikane nëse ndikon në mosarritjen e marrëveshjes.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!