Në fjalën e tij në seancën plenare në Kuvend, Kryeministri Edi Rama u shpreh se Parlamenti ka bërë më shumë se asnjëherë tjetër edhe pse opozita e braktisi atë.
Ndërsa komentoi edhe deklaratën e deputetes Hajdari, kryeministri tha se nuk i shkon një gjuhë e tillë një nëne, një gruaje dhe një përfaqësueseje të Parlamentit.
Gjithashtu ai theksoi se në Parlament është diskutuar me një gjuhë skandaloze dhe se sipas tij Presidenti i Republikës, Ilir Meta është një shembull skandaloz që nuk arrin të përmbahet edhe kur është krah një përfaqësuesi të huaj.
“Shembullin më skandaloz e ka dhënë presidenti i republikës së Shqipërisë i cili si askush tjetër nuk ka kapacitetin moral mendor që të përmbahet të paktën në ditën kur ka një homolog për vizitë, nuk më kujtohet ta ketë bërë Saliu kur ka pasur ndonjë të huaj në krah të ketë përdorur fjalor shantazhues e depresiv për kundërshtarët”, u shpreh Rama.
Pjesë nga fjala e kryeministrit:
“Deputeti për të bërë kompromisin e nevojshëm është të heqin dorë nga dëshirat tona. Unë nuk kam asnjë dyshim që nëse do kishim kërkuar një kompromis për të vendosur bonusin për partinë e parë ju do na kishit dhënë.
Por kjo do të ishte e tepërt në raport me palën që nuk është këtu. Nga ana tjetër për atë palën që nuk është këtu ky parlament po bën më shumë si asnjëherë më parë duke i marrë në konsideratë kërkesat e tyre edhe pse ata e braktisën parlamentin.
Nuk ka asnjë problem të më sulmoni mua, jam mësuar me origjinalin, kopjet nuk më bëjnë përshtypje. Dëgjova një zonjë këtu që fliste me një gjuhë që një nënë nuk mund ta ketë dhe një grua nuk mund të ketë, që një përfaqësuese e parlamentit nuk mund ta ketë.
Shembullin më skandaloz e ka dhënë presidenti i republikës së Shqipërisë i cili si askush tjetër nuk ka kapacitetin moral mendor që të përmbahet të paktën në ditën kur ka një homolog për vizitë, nuk më kujtohet ta ketë bërë Saliu kur ka pasur ndonjë të huaj në krah të ketë përdorur fjalor shantazhues e depresiv për kundërshtarët”.