Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri është pyetur në Komisionin Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë, konkretisht për rastin e vdekjes së të riut nga kjo komunë, Agon Musliu.
Ai ka thënë se fatkeqësisht rasti është politizuar dhe ka kërkuar që të hetohet.
“Të hetohet rasti çka ka ndodhur nga Aeroporti deri në karantinë. Ka qenë në dorë të autoriteteve me karantinu përkundër kërkesës së familjes. Kam kërkuar nga dita e parë mos të politizohet rasti, por si humbje e një të riu të Kosovë ta zbardhë drejtësia. Është politizu, e kam pa edhe në raste të caktuara, ai djalë ka qenë jo politik”, ka thënë Haziri.
Ai ka thënë se i ka mbetur merak që nuk ka dale në Aeroport ditën kur ka ardhur Agoni.
“Me pa kërkuar me dalë në aeroport kisha dalë, më mbetet merak kjo pjesë”, ka thënë Haziri, shkruan Reporteri.net.
Kujtojmë se Naim Musliu, prindi i Agonit në raportimin para Komisionit Hetimor e ka cilësuar si vrasje politike, vdekjen e birit të tij. /Reporteri.net/.