Analisti gjerman dhe njohësi i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, Bodo Weber, thotë se e ka shumë vështirë ta besojë që Gjermania e kancelares Angela Merkel do të mundë t’i bindë shtetet anëtare të BE-së për ta përkrahur liberalizimin e vizave për Kosovën.
Në një përgjigje për Gazetën Express, Weber ka thënë se është shumë e padrejtë që Kosova të mbahet e izoluar kur dihet që ka plotësuar kushtet për një kohë të gjatë.
“Aplikimi i Kosovës për liberalizim të vizave fatkeqësisht është bërë dëm kolateral i shndërrimit të azilit dhe migrimit në BE, në proces thellësisht të prerë pas krizës evropiane të refugjatëve në vitet 2015 dhe 2016. Kjo është thellësisht e padrejtë, sepse Kosova para një kohe të gjatë i ka përmbushur kushtet e BE-së që edhe ashtu kanë qenë më të rrepta sesa kushtet për cilindo vend tjetër të Ballkanit Perëndimor. Do të mund të shpresohej se presidenca gjermane e BE-së do të arrijë ta zhbllokojë procesin e ngecur, por unë fatkeqësisht mbes thellësisht skeptik se Berlini do t’ia dalë që t’i bindë shtetet anëtare kyçe edhe për shkak se vetë pozicioni i Gjermanisë ka qenë padrejtësisht i paqartë që nga viti i kaluar dhe deri së voni”, ka thënë Weber.
Shpresat e kosovarëve për heqjen e regjimit të vizave janë rritur shumë meqë me presidencën e BE-së është duke udhëhequr Gjermania deri në fund të këtij viti.
Nga Berlini zyrtar në vazhdimësi kanë thënë se përkrahin rrugën e Kosovës drejt heqjes së regjimit të vizave.
Kryediplomati gjerman, Heiko Maas, ka thënë se janë duke punuar intensivisht për një gjë të tillë.
Një prej shteteve anëtare që është skeptike për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën është Franca e presidentit Macron. Përveç Francës, edhe Holanda dhe shtete tjera anëtare të BE-së kanë hezitim nëse duhet të përkrahin heqjen e regjimit të vizave për Kosovën.