Lëvizja Vetëvendosje përmes një konference për media ka kujtuar një vjetorin e e zgjedhjeve të 6 tetorit, ku kjo parti doli e para.
Albulena Haxhiu nga kjo parti ka thënë se në zgjedhjet e 6 tetorit qytetarët votuan për ndryshimet rrënjësore që i duhen vendit dhe ndëshkuan politikat e gabuara dhe politikanët e korruptuar.
Sipas saj, Qeveria Kurti për një kohë të shkurtë dëshmoi se shteti mund të çlirohet nga kapësit, se ndërmarrjet mund të jenë të pavarura dhe madje dëshmuan se si mund të menaxhohet suksesshëm një pandemi që erdhi papritmas, shkruan Reporteri.
“Në këto zgjedhje qytetarët votuan për ndryshimet rrënjësore që i duhen vendit, ndëshkuan politikat e gabuara dhe politikanët e korruptuar. Ata votuan kundër mendësisë së vjetër politike, ata i dhanë goditjen e madhe keqqeverisjes e koalicioneve të pazareve. Me gjithë pengesat në rrugë në bëmë gjithçka të jetësojmë vullnetin, por ky vullnet u përdhos nga ata që u bashkuan me të keqen. Dëshmuam se shteti mund të çlirohet nga kapësit se ndërmarrjet mund të jenë të pavarura dhe dëshmuam se qeveria me legjitimitet menaxhon suksesshëm një pandemi që doli para nesh”, u shpreh ajo.
Ndërkaq Glauk Konjufca nga VV tha se më 6 tetor 2019, në Kosovë ndodhi një revolucion demokratik.
Sipas tij Qeveria e Avdullah Hotit ka dështuar në menaxhimin e pandemisë, në dialogun me Serbinë, si dhe në përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Një vit prej kur ndodhi një revolucion demokratik në Kosovë, ku partitë e PAN-it populli i vendosi në pozitat 3,4 dhe 6. Deri tash e keni parë se si i është qasur Covid-19. Qeveria përveç lirimit ë masave nuk ka pasur asnjë plan për ballafaqim me pandeminë. Të gjitha vendimet që i kemi marrë duke filluar prej ndryshimit të përbërjes së bordeve të korruptuara, tash po vazhdojnë kompromiset e vazhdueshme të Hotit me PDK, AAK dhe Nismës. Njerëz që kanë probleme me drejtësinë nuk është problem me marrë pozita në Qeverinë Hoti”, u shpreh ai,
Konjufca tha se Qeveria Hoti e ka shancën e madhe që ti ndihmojë popullit të Kosovës, duke thënë dorëheqje.
“Në dialogun me Serbinë kjo qeveri është nënshtruar totalisht dhe nuk ka kurrfarë koncepti për mbrojtjen e interesit nacional të Kosovës. Shkuan në Washington për një marrëveshjes dhe gjatë gjithë javës, Hoti jepte premtime se dialogu do të jetë vetëm për njohje. Në aspektin ndërkombëtar kjo qeveri po bën lëshime të mëdha që nuk i kanë bërë as qeveritë e PDK dhe AAK, si ngrirja e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Iu ka arrestuar edhe vota e 61, nuk ka as mazhorancën. Mbështetja e Vetëvendosjes nga populli është dyfishuar dhe kjo po ndodh edhe për faktin se qytetarët më nuk kanë kurrfarë iluzioni se çka paraqesin PDK, AAK dhe LDK. Atyre ju kanë harxhuar të gjitha letrat e mashtrimit. Sa i përket LDK-së, populli nuk ushqen më kurrfarë ëndrrash sepse u pa fytyra e tyre. Avdullah Hoti tash mendoj se e ka një shancë të shkëlqyeshme me i ndihmu popullit të Kosovës, e ajo është me dhënë dorëheqjes”, u shpreh ai. /Reporteri.net