Shqiptarët në Luginë, vazhdojnë të jenë të diskriminuar, shumë shpesh duke iu shkelur edhe të drejtat e tyre kombëtare.
Në Bujanoc, më 25 maj, ashtu si edhe çdo vit tjetër, po mbahej manifesti “Ditët e Komandant Lleshit”, organizuar nga Shtëpia e Kulturës e kësaj komune.
Por, pas katër muajsh, saktësisht më 5 të këtij muaji, drejtori Shtëpisë së Kulturës së kësaj komune, Jetmir Ismaili, mori një padi nga organet e policisë serbe.
Ai ka thënë se kjo padi iu ushtrua, vetëm pse në eventin e majit, u këndua himni kombëtar shqiptar, po ashtu janë përdorur simbolet shqiptare.
“Për 4 vjet, që jam drejtor, kjo është hera e parë që marr një padi të tillë. Në Gjykatë jam ftuar të paraqitem më 10 nëntor të këtij viti. Jam paditur, për shkak se në manifestimin “Ditët e Komandant Lleshit” nuk është përdorur flamuri serb dhe himni i Serbisë.
“Disa herë e kemi sqaruar se, Serbia me ligj e pa ligj vazhdon të shkelë të drejtat e pakicave që jetojnë në këtë shtet, këtë gjë ua kemi bërë me dije edhe bashkësisë ndërkombëtare. Liria dhe vullneti për të jetuar nuk mund të mohohen me asgjë, sepse janë të drejta të garantuara nga e drejta hyjnore, nga konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe me këtë rast, konsiderojmë që, veprimi ynë i cili ka të bëjë me nderimin e një figure i cili ka luftuar për liri dhe drejtësi, nuk përbën shkelje të ligjit, por respektim të parimeve të demokracisë”, ka thënë ai.
Ismaili tutje thotë se çdo tendencë që synon të i ndëshkojë vetëm pse shfaqin vullnetin e tyre për liri dhe demokraci, nuk përkon me vlerat demokratike, por i përngjan të kaluarës jo shumë të largët të diskriminimit dhe shtypjeve që kanë ndodhur në Ballkan.
“Kërkojmë nga udhëheqësit komunalë, deputetët shqiptarë, liderët politikë dhe institucionet ndërkombëtare që janë aktive në monitorimin e respektimit të të drejtave të njeriut në Serbi, që të reagojnë fuqishëm kundër një veprimi të tillë të organeve serbe të sigurisë dhe të kërkojnë nga qeveria serbe të ndalë njëherë e përgjithmonë diskriminimin kundër pakicave në Serbi”, apelon ai.