Nisma Socialdemokrate, ka reaguar ndaj deklaratave të emisarit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili tha sot se nuk do të ketë marrëveshje pa themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Deputeti i kësaj partie, Endrit Shala përmes një postimi në Facebook, tha se ngjashëm siç s’do të ketë Asociacion pa marrëveshje për njohje reciproke.
”Ashtu siç nuk do të ketë Asociacion pa Marrëveshje për Njohje Reciproke!”, shkruan Shala.
Lajçak në një konferencë për media në Prishtinë, ka folur sot për çështjen e Asociacionit, derisa tha se nuk do të ketë marrëveshje finale pa Asociacionin. Lajçak u shpreh se Kosova duhet ta implementojë marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel më 2013 dhe më pas më 2015.
“Tema e asociacionit është përballë në Kosovë me nivel të lartë të emocioneve, por të jem i qartë që BE nuk ka interes në destabilizimin e Kosovës, por Kosova ka bërë zotim në Marrëveshjen e vitit 2013 dhe 2015 dhe duhet të tregojë konsistencë dhe respektim të marrëveshjes. Hapi i radhës duhet të jetë të diskutohet statuti dhe kjo është ajo çka presim. Implementimi i marrëveshjes për Asociacionin do të jetë pas nënshkrimit, por detajet duhet të diskutohen.
Nuk do të ketë marrëveshje pa Asociacionin, Kosova duhet ta implementojë marrëveshjen, është pjesë e dialogut. Ne kërkojmë nga politikanët që vetëm ta implementojnë atë që e kanë nënshkruar. Unë nuk kam takuar asnjë partner këto dy ditë që ka problem me këtë çështje.”, u shpreh Lajçak në Prishtinë.