Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, e ka inauguruar në mënyrë zyrtare xhaminë më të madhe në Turqi, e cila ka arkitekturë të stilit otoman dhe ndodhet në një kodër të Stambollit, prej së cilës shihet Ngushtica e Bosforit.
Xhamia Camlica është një nga xhamitë e shumta të stilit otoman që janë ndërtuar gjatë pushtetit 17-vjeçar të presidentit Erdogan dhe partisë së tij, Partia Për Drejtësi. Kupa e saj është jashtëzakonisht e madhe dhe xhamia ka minaret 107 metra të larta. Në këtë mënyrë, xhamia mund të shihet nga të gjitha pjesët e qytetit me 16 milionë banorë.
Gjatë një ceremonie me disa liderë tjerë ndërkombëtarë, Erdogan tha se struktura e xhamisë i shkon për shtati Turqisë bashkëkohore. “Xhamia ka shumë simbole që i përkasin historisë, civilizimit dhe besimit tonë”, tha ai.
Erdogan gjithashtu foli kundër sulmeve në rritje ndaj objekteve fetare nëpër botë, përfshirë sulmin në xhamitë e Zelandës së Re dhe kishave në Sri-Lankë.
“Ata që i sulmojnë xhamitë dhe kishat e kanë të njëjtën mendësi të errët. Masakrimi i njerëzve të pafajshëm dhe bombardimi i shtëpive të adhurimit nuk janë xhihad. Këto janë terror, mizori dhe vrasje”, tha Erdogan.
Ndërtimi i kësaj xhamie ka kushtuar rreth 100 milionë dollarë dhe ka zgjatur gjashtë vjet. Në të mund të falen 63 mijë besimtarë në të njëjtën kohë. Në kompleksin e strukturës së saj ka edhe muze, galeri, salla për mësim dhe një qendër për konferenca, shkruan “Independent”, transmeton Gazeta Express.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.