Është arrestuar sot, e më pas dërguar në paraburgim në Hagë, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, pasi ndaj tij është konfirmuar një aktakuzë për krime lufte.
Dhjetëra pjesëtarë të policisë speciale të EULEX’it zbarkuan sot rreth orës 6 të mëngjesit tek shtëpia e ish-kryetarit te Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqit. Ata brenda shtëpisë së Krasniqit kryen një bastisje që zgjati për orë të tëra, dhe përfundoi me arrestimin e ish-zëdhënësit të UÇK-së.
Por sipas, Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në kryerjen e arrestimit të Krasniqit përveç që pati mbështetje operative dhe logjistike nga EULEX’u, edhe Policia e Kosovës dha mbështetje operative, shkruan Reporteri.net.
Sipas ZPS, arrestimi u krye në bazë të një aktakuze të konfirmuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe në zbatim të fletarrestimit dhe urdhrit për transferim, të lëshuara nga gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës.