Kryetari i grupit parlamentar të VV-së, Rexhep Selimi sot në ora 09:00 udhëton drejt Hagës, pasi mbrëmë Dhomat e Specializuara i kanë konfirmuar aktakuzën.
Nga Zllatari i Prishtinës ku bëri homazhe te varri i Astrit Deharit me rastin e 4-vjetorit të vdekjes së tij, Selimi nuk pranoi të flasë duke thënë se i shkon zëri më mirë në Hagë.
“Jemi te varri i Astritit dhe Arbnorit, nuk ka ngjarje tjetër që do të mund ta mposhte këtë ditë. Mos ma merrni si refuzim po do të flas prej atje, besoj prej atje besoj më shkon zani më mirë. Nuk jam unë ai që e di”, ka thënë Selimi pak para nisjes për në Hagë.
Nuk dihet nëse kjo deklaratë e Selimit është një thumb për kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj i cili kohë më parë kishte thënë për deputetin e VV-së “ka kënduar” para prokurorëve të Speciales.
“Rexhep Selimi ka këndu para prokurorisë”, kishte thënë kryeministri, duke nënkuptuar se Selimi ka dëshmuar para prokurorëve për ditë me radhë.
Megjithatë dje pasi Specialja ngriti aktakuzë ndaj Selimit, Haradinaj i doli në përkrahje këtij të fundit, ku tha se Rexha do të dalë i pafajshëm.
“Rexha do të dalë i pafajshëm sikurse gjithë të tjerët që pas aq shumë viteve iu duhet ta mbrojnë një epokë të historisë, e cila në fakt nuk ka nevojë për mbrojtje. Me çlirimtarët përgjithmonë e me besim në drejtësi”, ka shkruar Haradinaj.
Edhe Daut Haradinaj i cili kohët e fundit kishte acaruar raportet me Selimin, i doli në mbrojtje shokut të tij, ku shpërdarë në Facebook një fotografi me mbishkrimin “Këtu jemi”./Reporteri.net/.