Lëvizja Vetëvendosje nuk ka dhënë ndonjë deklaratë në konferencën e mbajtur nga anëtarët e saj, Xhelal Sveqla e Albulena Haxhiu lidhur me aktakuzat e fundit të konfirmuara nga Gjykata Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Anëtarja e kryesisë së kësaj partie, Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga gazetarët që të mos iu parashtrohen pyetje lidhur me zhvillimet e fundit politike, nën pretekstin se sot duhet respektuar të bëmat e ish-aktivistit të LVV’së, Astrit Dehari.
“E dimë që ka pasur zhvillime sot, por iu kishim lutur që ta respektojmë këtë datë, jetën e veprën e Astritit. Për çështje qe sot janë diskutuar e ka ndodhur kemi folur që disa vite”, ka thënë ajo.
Ndryshe, përgjatë ditës së sotme, iu janë konfirmuar aktakuzat ish-presidentit Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Veseli.
Ndërsa dje u konfirmua aktakuza ndaj Rexhep Selimit të VV-së, kurse pas një qëndrimi 10-orësh në shtëpinë e Jakup Krasniqit, EULEX e arrestoi këtë të fundit.