Konfirmimin e aktakuzës ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi e kanë pritur me shqetësim banorët e fshatit Burojë, vendlindja e Thaçit.
Në këtë fshat jetojnë po ashtu prindërit e presidentit Thaçi, të cilët ende nuk janë njoftuar për ngritjen e aktakuzës për krime lufte ndaj djalit të tyre, shkruan Reporteri.
Këtë e ka konfirmuar për T7 një nga banorët e këtij fshati, i cili ka thënë se babai i Thaçit ende nuk e ka marrë vesh këtë lajm, kjo për shkak edhe të shëndetit të tij.
Ndryshe, ish-presidenti Thaçi ka njoftuar përmes një konference për media se gjyqtari i procedurës paraprake të Dhomave te Specializuara ka konfirmuar aktakuzën e ngritur nga Prokurori i Specializuar.
Thaçi në konferencë njoftoi se në Hagë do të udhëtojë si qytetar i Kosovës dhe jo si president i vendit, çka edhe ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.
Në Hagë do të udhëtojë edhe ish-kryetari i PDK’së, Kadri Veseli të cilit i është konfirmuar gjithashtu aktakuza nga Specialja. /Reporteri.net