Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas konfirmimit të aktakuzës ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.
VV-ja përmes një komunikate për media ka thënë se akuzat ndaj tyre lidhen me luftën e UÇK-së, e cila pohon se për ta mbetet gjithnjë forcë e drejtë, e pastër dhe çlirimtare.
Sipas kësaj partie, tani Kosovës i duhen zgjedhje të reja, prej të cilave do të dalë një Qeveri që gëzon mbështetjen e popullit.
Vetëvendosje thekson se vetëm një qeveri e pakorruptuar, e zgjedhur demokratikisht e jo produkt i pazareve, do të mund ta përparojë Kosovën e ta mbrojë UÇK-në dhe ta vlerësojë ashtu siç e meriton.
“Tash Kosovës i duhen zgjedhje të reja e të lira, prej të cilave do të dalë një qeveri e cila gëzon mbështetje dhe legjitimitet prej shumicës së qytetarëve, qeveri që ia kthen besueshmërinë vendore e ndërkombëtare Kosovës. Presidenti i ri nuk mund të dalë prej pazareve në Kuvendin e vjetër e të deformuar, por do të dalë me integritet e besueshmëri, nga Kuvendi i ri, pas zgjedhjeve të reja. E deri atëherë, në një tranzicion të shkurtër e transparent drejt zgjedhjeve të reja, znj. Vjosa Osmani si ud. e presidentes, do të kontribuojë për mirë në imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Vetëm një qeveri e pakorruptuar, e zgjedhur demokratikisht e jo produkt i pazareve, do të mund ta përparojë Kosovën e ta mbrojë UÇK-në dhe ta vlerësojë ashtu siç e meriton. Të gjithë duhet të bëhemi bashkë në respektim të ligjit, vullnetit të qytetarëve e demokracisë, e jo për t’iu mbivendosur asaj”, thuhet ndër të tjera në reagimin e VV-së.