Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri Lulzim Basha, në një videomesazh për situatën me pandeminë COVID-19, është shprehur se “Shqipëria ka nevojë për lidership, por për fat të keq kjo mungon”.
Ai ka thënë se është e qartë tashmë se vala e dytë e pandemisë ka goditur Shqipërinë dhe gjendja po rëndohet dita-ditës, derisa ka shtuar se numri i atyre që kanë humbur jetën nga virusi, i të shtruarve në spital dhe i të infektuarve me COVID-19 po rritet në mënyrë tragjike.
“Vendi gjendet në krizë shëndetësore dhe ekonomike, pa asnjë masë dhe plan për menaxhimin e tyre. Spitalet janë të mbipopulluara, urgjencat janë përplot me qytetarë që presin ndihmë. Mjekët janë të mbingarkuar, të pambrojtur, pa mjetet e nevojshme për të luftuar sëmundjen dhe disa prej tyre e kanë paguar me jetë. Vendi ka nevojë për lidership ekonomik! Kjo qeveri ka dështuar të menaxhojë situatën. Sot, shqiptarët janë më të kërcënuar dhe më të varfër se çdo qytetar tjetër në rajon. Pamundësia ekonomike e ka bërë edhe më të vështirë përballimin e krizës shëndetësore”, ka thënë kreu i PD-së.
Mesazhi i kryetarit të PD-së Lulzim Basha:
Është e qartë tashmë se vala e dytë e pandemisë ka goditur Shqipërinë dhe gjendja po rëndohet dita-ditës. Numri i atyre që kanë humbur jetën nga virusi, i të shtruarve në spital dhe i të infektuarve me COVID po rritet në mënyrë tragjike.
Dua t’ju shpreh ngushëllimet e mia të gjithë familjeve që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur në betejën me koronavirusin.
Nuk ka gjë më të dhimbshme se pamundësia për tu ardhur në ndihmë familjarëve dhe të afërmeve të sëmurë.
Te dashur bashkëqytetarë,
Shqipëria ka nevojë për lidership.
Për fat të keq, sot kjo na mungon. Vendi gjendet në krize shëndetësore dhe ekonomike, pa asnjë masë dhe plan për menaxhimin e saj. Spitalet janë të mbipopulluara, urgjencat janë përplot me qytetarë që presin ndihmë. Mjekët janë të mbingarkuar, të pambrojtur dhe pa mjetet e nevojshme për të luftuar sëmundjen. Disa prej tyre e kanë paguar me jetë.
Dua të shpreh mirënjohjen, respektin dhe solidaritetin tim me mjekët, infermierët dhe të gjithë personelin shëndetësor që sot po bëjnë të pamundurën për tu ardhur në ndihmë pacientëve, ndonëse pa mbështetje dhe në kushte shumë të vështira.
Vendi ka nevojë për lidership ekonomik!
Kjo qeveri ka dështuar të menaxhojë situatën. Sot, shqiptarët janë më të kërcënuar dhe më të varfër se çdo qytetar tjetër në rajon.
Pamundësia ekonomike e ka bërë edhe më të vështirë përballimin e krizës shëndetësore. Shumica e qytetarëve nuk përballojnë dot kostot e larta të medikamenteve që përdoren për të trajtuar koronavirusin.
Kjo është e papranueshme!
Si lideri i opozitës, në këtë situatë shumë të vështirë, me përgjegjësi të plotë kam ofruar alternativa, kam ofruar zgjidhje. I kam kërkuar kryeministrit të përgjigjet me seriozitetin që i kërkon detyra dhe situata.
E vetmja përgjigje është se fajin e kane qytetarët.
Nuk është faji i qytetarëve, mungesa e mjekëve, e laboratorëve, e testimeve, e kapaciteteve spitalore. Nuk është faji i qytetarëve për çmimet më të larta në rajon të barnave për trajtimin e sëmundjes, rritja e papunësisë dhe pamundësisë ekonomike.
Ne, kemi mbështetur qe nga fillimi çdo hap ne mbrojtje të shëndetit të njerëzve dhe kemi ofruar zgjidhje.
Por ne bëjmë përgjegjëse qeverinë për mungesën e lidershipit dhe të veprimit nga ana e saj.
Te dashur bashkëqytetarë
Asgjë nuk është me çmuar se jeta dhe shëndeti juaj. Ndaj ju bëj thirrje të tregoni maksimumin e vëmendjes dhe kujdesit për të mbrojtur jetën, veten, fëmijët, prindërit dhe familjet tuaja!