Një tjetër rast i rëndë! Një pacient me koronavirus është hedhur nga ballkoni i spitalit Infektiv këtë të martë.
Policia ndërkohë ka dhënë detaje zyrtare, duke thënë se fjala është për shtetasin me inicialet R.B, 69-vjeçar.
“Më datë 10.11.2020, rreth orës 12:30, dyshohet se është vetëhedhur nga lartësia e një spitali shtetasi R.B., 69 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe vijojnë punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”-njofton policia.
Pacienti kishte ditë i shtruar pas infektimit me Covid.
Ky është rasti i katërt ku një pacient me Covid në Shqipëri hidhet nga lartësia. Tre rastet e tjera, të gjitha me pasojë vdekjen, kanë ndodhur në spitalin Covid-2 (sanatorium).
Ndërkohë një tjetër rast ka qenë ai i një të moshuari, i cili pasi doli prej spitalit Covid, u hodh nga lartësia e banesës së tij duke gjetur vdekjen në spital.