Gazetari i njohur i Shëndetësisë, Bujar Vitia e ka quajtur skandaloze keqpërdorimin e ambulancës nga i vet shpalluri humorist, Sadri Imeri i cili emisionin e tij skandaloz e transmeton në Televizorin Publik që paguhet me paratë e qytetarëve të Kosovës, shkruan Reporteri.net.
Ai ka thënë se keqpërdorimi i resurseve mjkësore në kohë pandemie është skandal.
“Një i ashtuquajtur humorist i keqpërdor resurset mjekësore në kohë pandemie në Ferizaj. Paramendoni spitali i Ferizajt e ka zhvendos emergjencën në mjekesine familjare sepse s’ka kapacitete tjera për Covid, e ky tipi bon hajgare me stafin mjekësor. Në këtë rast më së paku ish dasht me marr masa ndaj zyrtarëve që e kanë leju këtë skandal”, ka shkruar Vitia.
I ashtuquajturi moderator, Sadri Imeri, gjatë emisionit të tij ‘Kojshia Show’ – emision i cili transmetohet në televizionin shtetëror të Kosovës, RTK – ka bërë sërish një kamerë të fshehtë.
Kësaj radhe pre e kamerës së fshehtë ranë ekipi mjekësor i Emergjencës, shkruan Reporteri.net.
Pak para se të bëhej gati për emision, ai pretendoi që është i sëmurë dhe kontaktoi Emergjencën.
Ekipi mjekësor arriti menjëherë në vendngjarjes, të cilët u përkujdesën që gjendja e moderatorit të përmirësohet.
Në të mbërritur në ambulancë, Imeri bëri të ditur se nuk është i sëmurë, por ky ishte një mesazh për të gjithë ata që thërrasin ekipin e emergjencës pa pasur ndonjë gjë.
“Ju bëj apel qytetarëve të Republikës së Kosovës, mos e përdorni ndihmën e shpejtë, thërrisni vetëm kur keni nevojë, sepse kështu ju i humbi mundësinë një personi me të vërtetë të sëmurë”, është shprehur ai.
Kujtojmë se para disa muajve u kishte bërë një kamerë të fshehtë edhe Policisë, mirëpo që nuk kishte shkuar siç e kishte planifikuar, sepse ai përfundoi nën pranga.