Në disa spitale të Kosovës është raportuar se ka mungesë oksigjeni për pacientët që po trajtohen nga Covidi-19, ku konkretisht më të zëshëm kanë qenë nga spitali i Gjilanit që kanë konfirmuar mungesat.
Por Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, po thotë krejt diçka tjetër, se ka okisgjen, pavarësisht se ditëve të fundit ka pasur kërkesa në rritje për furnizim me oksigjen.
SHSKUK-ja bën të ditur se, megjithatë, institucionet shëndetësore vazhdojnë të furnizohen konform kërkesave dhe nevojave.
“Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, njofton se për shkak të rritjes së numrit të pacientëve të spitalizuar, ka pasur kërkesa në rritje për furnizim me oksigjen dhe institucionet shëndetësore vazhdojnë të furnizohen konform kërkesave dhe nevojave”, shkruhet në njoftim, shkruan Reporteri.net.
Tutje, Shërbimi Spitalor thotë se mjekët janë ata që vendosin për transferimin e pacientëve në QKUK.
“Lidhur me trajtimin e pacientëve, mjekët janë profesionistë dhe kanë kompetencë të plotë të vendosin se në cilin stad pacientët transferohen për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si institucioni i vetëm terciar shëndetësor në vend”, thuhet në njoftim. /Reporteri.net/.