Edhe Partia Demokratike ka reaguar për ngjarjen e rëndë, ku një efektiv policie qëlloi për vdekje të riun Klodian Rasha, ndërsa ishte duke e ndjekur këtë të fundit.
Sipas deputetit Enkelejd Alibeaj, 25-vjeçari Rasha u qëllua me plumb në kokë sepse nuk respektoi orën e karantinës dhe vrapoi për t’i shpëtuar gjobës.
Alibeaj shton se ashtu si 30 vjet më parë, me Edi Ramën në krye të qeverisë, asgjë nuk ka ndryshuar në mentalitetin e regjimit policor të drejtimit të shtetit.
“Në Ditën e Rinisë, një 25 vjeçar u ekzekutua me plumb në kokë nga regjimi, sepse nuk respektoi orën policore të karantinës. Një i ri që vrapon për t’i shpëtuar gjobës apo sjelljes brutale, që e kemi parë të gjithë në rastin e 15 vjeçarit gjatë karantinës së parë, nuk përbën asnjë rrezik për policinë.
Ajo që e bën edhe më të rëndë situatën, janë njoftimet zyrtare të Policisë së Shtetit, të cilat krijojnë bindjen e tentativës për manipulimin dhe fshehjen e së vërtetës, me justifikime të denja për një bandë.
Asnjë skenar i sigurimit të shtetit nuk mund të justifikojë ekzekutimin e të riut.
Prokuroria duhet të kishte marrë menjëherë masat për ndalimin e manipulimit të ngjarjes, zbardhjen e të vërtetës sa me shpejt dhe informimin e publikut për ketë ngjarje që ka shokuar të gjithë shoqërinë”, deklaroi Alibeaj.