E hëna nisi e paqtë. Shoqërimet e shumta nga policia në protestat e kaluara por edhe deklarata paralajmëruese e policisë pak orë para protestës për të shmangur tubimet e paligjshme në kohë pandemie dha rezultatin e vet në ditën e 6 të tubimeve.
Të paktë në numër, protestuesit kësaj herë kishin më shumë për të artikuluar sesa vepruar.
Mbledhja nisi në sheshin “Skënderbej” dhe më pas u zhvendosën drejt bulevardit me stacion final Kryeministrinë ku qëndruan për disa minuta.
Thirrjet ishin të larmishme por kërkesa kryesore ishte dorëheqja e kreut të policisë Ardi Veliu, të cilin e shohin si faktor në tentativën e policisë për të manipuluar vrasjen e të riut Klodian Rasha.
Pas Kryeministrisë ata u zhvendosën sërish drejt sheshit “Skëndërbej” dhe më pas u shpërndanë.
Nuk pati kapsollë, as gurë, as gaz, as ujë dhe as konfrontime me policinë.
Protesta nisi rreth orës 18: 30 dhe përfundoi në 20:30.