×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Mbyllja e kufijve me Shqipërinë, ullinjtë e Greqisë nuk ka kush t’i vjelë

    Reporteri
    20 Dhjetor 2020 | 16:32

    Plantacioni i Nikos Argirakis-it në një prej rajoneve më të mëdha prodhues të ullinjve në Greqi zakonisht në fund të vitit është plot me punëtorë të huaj që vjelin kokrrat nga 1000 pemët e tij.


    Por këtë vit 40-vjeçarit ju desh të kërkonte ndihmën e të motrës dhe të së ëmës të moshuar, pasi Greqia ka vendosur kufizime të rrepta dhe punëtorët e huaj nuk mund të vijnë.

    “Për shkak të mbylljes së kufijve nga rreziku i koronavirusit punëtorët kryesisht nga Ballkani nuk mundën të vijnë në kohë. U përpoqëm të plotësonim dokumentet e tyre, por u bllokuan në kufi. Vitet e kaluar kemi pasur 100 deri në 120 punëtorë të huaj në fshat. Këtë vit jo më shumë se 15. “

    Muajin e kaluar Greqia mbylli kufijtë me Shqipërinë, burimi më i madh i krahut të punës sektorin bujqësor. Fatmirësisht Argirakis, gjeti një çift shqiptar dhe dy emigrantë nga Bangladeshi, të cilët ishin në Greqi para mbylljes së kufijve.

    Plantacioni i Argirakis-it ndodhet në Gadishullin e Peloponezit, pranë qytetit të Kalamatës. Zakonisht vjelja e ullinjve përfundon në nëntor, por këtë vit do të shtrihet përtej dhjetorit. Ullinjtë shkunden me dorë dhe më pas kokrrat bien nëpër rrjeta. Është një punë që shumë grekë nuk duan ta bëjnë.

    Në fshatin Messini, Panayiotis Outsikas gjithashtu kërkoi ndihmën e familjarëve për të mbledhur ullinjtë.

    “Nuk ka punëtorë për të vjelë ullinjtë. Vetë nuk do të mund t’i vjelim të gjitha. Do të përpiqemi të bëjmë më të mirën, jemi katër fëmijë dhe do të përpiqemi t’i mbledhim vetë,” thotë Outsikas.

    Fermeri shton se në mes të pandemisë, që u ka marrë jetën të paktën katërmijë grekëve, shumë punëtorë sezonalë janë emigrantë të paligjshëm, ndaj është e vështirë t’ju besosh atyre.

    Tregtia e vajit të ullirit, i quajtur zakonisht edhe si “ari i gjelbër” në Greqi, arriti një vlerë prej 790 milionë eurosh gjatë vitit 2019, sipas të dhënave të Agjencisë Europiane të Statistikave, Eurostat.

    Për shkak të pandemisë këtë vit, të ardhurat nga tregtia e vajti të ullirit do të bien në rreth 650 milion euro. (Leftion Peristeri)

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!