14 shkurti është data kur do të mbahen zgjedhje e jashtëzakonshme në vend. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) tashmë ka nisur me përgatitjet për këto zgjedhje si dhe ka vendosur afatet kohore se si do të rregullohet procesi deri në ditën e votimit.
Kështu KQZ’ja dje ka hapur edhe afatin për certifikim të partive politike, afat ky që do të zgjas deri më 16 janar.
Por asnjëra nga partitë politike nuk ka aplikuar deri më tani për certifikim. Këtë e ka bërë të ditur për Express, zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi.
“Deri në këto momente që po flasim, nuk kemi pranuar ndonjë aplikim nga ana e subjekteve politike’’, ka thënë Elezi.
E afati për aplikim për certifikim të partive politike që do të garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit sipas Elezit, do të jetë i hapur deri më datë 16 janar, në orën 18:00.
“Subjektet politike, pra këtu përfshihen partitë politike, koalicionet, iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur, mund të aplikojnë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje deri më 16 janar, në orën 18:00. Pra, deri në këtë kohë subjektet politike duhet të sjellin edhe listat e kandidatëve për deputetë’’, ka deklaruar ai.
Ndërsa nga KQZ’ja para ca ditësh u njoftua se dy parti të reja kanë aplikuar për regjistrim.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani ka shpërndarë Legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës dhe i ka caktuar zgjedhjet parlamentare të parakohshme për 14 shkurt
“Duke u bazuar në përgjegjësitë kushtetuese dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese Nr. KO-95/20, si dhe pas diskutimit me partitë parlamentare dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, u.d. Presidentja, dr.Vjosa Osmani, ka marrë vendim të shpallë zgjedhjet dhe të caktojë 14 shkurtin 2021 datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të parakohshme”, thuhej në komunikatën e dërguar mediave.
Kujtojmë që deri tek kjo situatë erdhi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për votën e deputetit Etem Arifi, votë e cila ishte vendimtare për formimin e Qeverisë “Hoti”.