Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur hetimet ndaj disa zyrtarëve policor pas ankesave nga anëtarë të Partisë Socialdemokrate se janë rrahur brutalisht brenda Stacionit Policor.
“Inspektorati Policor i Kosovës është njoftuar për këtë rast nga Policia e Kosovës dhe hetuesit i janë përgjigjur rastit duke dalur në vendin ngjarjes në Prishtinë. Hetuesit e IPK-së kanë filluar menjëherë grumbullimin e informacioneve duke përfshirë dëgjimin e palëve si dhe kanë kontaktuar me prokurorin kompetent i cili ka qenë në vendin e ngjarjes”, kanë thënë nga IPK për Reporteri.net.
Në përgjigjen e Inspektoratit është thënë se veprimet tjera hetimore priten të ndërmerren në konsultim me prokurorinë kompetente në përputhje me misionin ligjor të Inspektoratit Policor të Kosovës.
Anëtari i PSD-së, Frashër Krasniqi, pas arrestimit të anëtarëve të tjerë të kësaj partie, ka publikuar fotografinë e Fatmir Miftarit, rreshter në Policinë e Kosovës, për të cilin pretendon se ka goditur në kokë zëdhënësen e kësaj partie, Natyra Kuçin.
Krasniqi, nëpërmjet një reagimi në ‘Facebook’, ka thënë se edhe disa policë të tjerë kanë ushtruar dhunë ndaj aktivistëve të tjerë të PSD-së.
Në anën tjetër, në një postim në “Facebook”, më herët, zëdhënësja e PSD-së ka thënë që krimi i vetëm është brutaliteti policor jashtë dhe brenda ndërtesës së stacionit policor në Prishtinë.
“Krimi i vetëm këtu është brutaliteti policor jashtë e më shumë brenda stacionit policor. Për aktivistët e PSD-së e aksionet simbolike dhunë e arrestime, për tubimet e partive politike truproje”, ka shkruar ajo.
Postimi i plotë i Frashër Krasniqit:
Ky është Fatmir Miftari. Rreshteri i Policisë së Kosovës që e goditi në kokë Natyra Kuçin edhe pse ishte me duar të lidhura brenda stacionit policor. Pas reagimit tonë verbal, ai më mori në zyrën e tij dhe bashkë me 4-5 policë të tjerë më goditën për disa minuta pa ndërprerë.
Njësoj, disa policë të tjerë ushtruan dhunë ndaj Dardan Molliqajt, Nol Nushit, Veton Dragushës dhe aktivistëve të tjerë. Të gjithë me duar të lidhura. Të gjithë brenda stacionit policor.
Brutalitet e dënime për aktivistët e qytetarët, tolerancë e mbrojtje për partitë e pushtetet. Kjo është Policia e Kosovës.